Rrezik në Gjykatën e Durrësit! Shembet fasada, mermeri përfundon në trotuar
Një incident shqetësues është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Durrësit, ku një pjesë e fasadës së jashtme është shembur duke rrezikuar seriozisht sigurinë e qytetarëve.
Sipas të dhënave paraprake, disa copa mermeri janë shkëputur nga godina dhe kanë rënë në trotuarin përpara hyrjes kryesore. Dyshohet se materiali ka rënë nga një dritare në katin e katërt, në zonën ku ndodhen ambientet e Prokurorisë së Durrësit.
Fatmirësisht, në momentin e rënies nuk ka pasur kalimtarë në zonë, duke shmangur pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Megjithatë, rasti ka ngritur alarmin për gjendjen fizike të godinave të institucioneve të drejtësisë.
Ngjarja rikthen në vëmendje problemin e amortizimit të ndërtesave publike, një shqetësim i ngritur edhe më herët nga drejtues të sistemit të drejtësisë. Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që në Durrës regjistrohet një rast i ngjashëm me dëmtime në godina, çka shton dyshimet për mungesë mirëmbajtjeje dhe kontrolli teknik.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shembjes, ndërsa pritet një verifikim i plotë i strukturës për të shmangur rreziqe të tjera në të ardhmen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



