Skandal në Golem, shezlongët dhe çadrat pushtojnë bregun
Rregullorja në fuqi për administrimin e hapësirave bregdetare përcakton qartë kriteret që duhet të respektohen nga subjektet që aplikojnë për përdorimin e stacioneve të plazhit. Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e këtyre kërkesave është Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve (GTSHA), i cili vlerëson përmbushjen e standardeve përpara lidhjes së kontratave me operatorët.
Ndër detyrimet kryesore që duhet të plotësohen janë respektimi i një distance minimale prej 10 metrash nga vija bregdetare deri te brezi i çadrave, si dhe garantimi i një korridori të lirë prej 2.5 metrash përpara rreshtit të parë, i dedikuar për përdorim publik. Po ashtu, rregullorja kërkon që çadrat të vendosen me distanca të përcaktuara, jo më pak se 3 metra në drejtim horizontal dhe 2.5 metra në drejtim vertikal nga njëra-tjetra dhe nga vija e ujit.
Përveç këtyre, operatorët janë të detyruar të zbatojnë masa sigurie dhe informimi për pushuesit, duke përfshirë vendosjen e bovave, sinjalistikës me flamuj në gjuhën shqipe dhe angleze, si dhe përcaktimin e qartë të pranisë së vrojtuesve të plazhit. Një tjetër element i rëndësishëm është respektimi i kufijve të lejuar të zhurmës, për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë frekuentuesit.
Megjithatë, në terren raportohen shkelje të këtyre rregullave, veçanërisht në zonën e Golemit, ku në shumë raste çadrat dhe shezlongët janë vendosur deri pranë vijës së ujit, duke mos lënë hapësirat minimale të parashikuara për publikun.
Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në kufizimin e lëvizjes përgjatë bregdetit, duke penguar shëtitjet e lira dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive apo rekreative në plazh. Për pasojë, qytetarët kërkojnë ndërhyrje më të fortë nga autoritetet për të garantuar respektimin e ligjit dhe rikthimin e aksesit të lirë në hapësirat publike bregdetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



