Operacion i ri në Tiranë, goditen dy call center mashtruese
Aksioni kundër call center-ave mashtruese në Tiranë vijon, në kuadër të një operacioni të gjerë të nisur që në muajin prill. Ditën e sotme, në një operacion të koordinuar nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake, janë goditur dy subjekte të tjera që dyshohet se përdoreshin për mashtrimin e qytetarëve europianë.
Ndërhyrja është zhvilluar pranë zonës së Liqenit të Thatë, ku forcat e rendit ushtruan kontrolle në ambientet e dy call center-ave të dyshuar. Gjatë operacionit janë sekuestruar kompjuterë dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm, ndërsa operatorët janë kapur në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit.
Sipas burimeve hetimore, ky aksion është pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet austriake, të cilat po asistojnë në zbardhjen e skemës së mashtrimit që kishte në shënjestër qytetarë nga disa vende të Europës.
Operacioni vjen si vijim i goditjes së mëparshme të realizuar më 13 prill, kur u zbuluan tre call center të shpërndarë në 12 ambiente në kryeqytet, në pronësi të Granit Pepnikës. Në atë fazë u arrestuan 10 persona dhe u sekuestruan rreth 900 mijë euro cash, ndërsa hetimet zbuluan një organizatë të strukturuar me shtrirje ndërkombëtare.
Sipas dosjes hetimore, skema funksiononte përmes platformave të rreme të investimeve online. Viktimat, kryesisht nga Gjermania, Italia, Greqia, Spanja dhe Britania e Madhe, josheshi nga reklama mashtruese që premtonin fitime të shpejta.
Pas regjistrimit, ata kontaktoheshin nga operatorë që prezantoheshin si këshilltarë financiarë, të cilët i bindnin të transferonin para në platforma që në dukje funksiononin si bursa investimi. Në realitet, fondet nuk investoheshin, por kalonin në një rrjet llogarish të kontrolluara nga organizatorët e skemës.
Në shumë raste, viktimat mashtronin për herë të dytë, pasi kontaktoheshin nga persona që premtonin rikuperimin e humbjeve kundrejt pagesave të tjera.
Hetimet kanë zbuluar se rrjeti funksiononte si një strukturë e mirëorganizuar, ku operatorët ishin të ndarë sipas gjuhëve dhe tregjeve që synonin, duke komunikuar në disa gjuhë të huaja dhe duke operuar me një strukturë të qartë menaxheriale, financiare dhe teknologjike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



