E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Armand Zhuka i OSSH jep miliona para për kompani nën hetim
Lajme

Armand Zhuka i OSSH jep miliona para për kompani nën hetim

Oferta më e lirë skualifikohet

Drejtoria Rajonale e OSSH në Berat rezulton të ketë ndjekur një praktikë të diskutueshme në një procedurë të fundit prokurimi, duke përjashtuar nga gara ofertën më të ulët ekonomike. Bëhet fjalë për tenderin që parashikon rikonstruksionin e kabinave elektrike dhe përmirësimin e rrjetit të tensionit të ulët me kabllo ajrore të izoluara në zonën e Skraparit.

Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë projekt arrin në 149.9 milionë lekë (rreth 1.6 milionë euro), ndërsa afati i realizimit të punimeve është përcaktuar në rreth 7 muaj e gjysmë. Në këtë procedurë morën pjesë dy operatorë ekonomikë: bashkimi i kompanive “K.M.K & Caushi M”, me një ofertë prej 136 milionë lekësh, dhe kompania “SENKA”, e cila ofroi 146 milionë lekë.

11111.PNG

Megjithëse diferenca prej mbi 10 milionë lekësh e favorizonte ofertën më të ulët, ajo u skualifikua nga autoriteti kontraktor me arsyetimin e mosplotësimit të kritereve të kërkuara. Si rezultat, në garë mbeti vetëm operatori “SENKA”, i cili u shpall edhe fitues i tenderit.

2222.PNG

Një detaj tjetër me rëndësi është fakti se kompania fituese është mbështetur në kapacitetet e disa subjekteve të tjera për të përmbushur kriteret e kualifikimit, konkretisht “SALILLARI” sh.p.k., “NDREGJONI” sh.p.k. dhe “KURTI UNIBLLOK” sh.p.k. Këto kompani kanë marrë përsipër të vënë në dispozicion burimet dhe eksperiencën e tyre gjatë zbatimit të kontratës, në përputhje me dokumentacionin e dorëzuar në tender.

Përfshirja e “SALILLARI” në këtë procedurë rikthen në vëmendje edhe zhvillimet e fundit hetimore. Si kjo kompani, ashtu edhe “SENKA”, kanë qenë pjesë e verifikimeve të ndërmarra nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një dosjeje që lidhet me sektorin e infrastrukturës dhe energjisë. Në fillim të këtij viti, hetimet u zgjeruan duke përfshirë kontrolle në disa kompani ndërtimi, mes të cilave edhe këto dy subjekte.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kompanitë në fjalë vijojnë të përfitojnë kontrata publike me vlera të konsiderueshme nga institucione që varen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Rasti në fjalë ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe konkurrencën reale në procedurat e prokurimit, sidomos kur ofertat më ekonomike eliminohen dhe kontratat përfundojnë tek operatorë të tjerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.