Një President?Reagime edhe në Prishtinë, kundër propozimit të Edi Ramës

A janë këto fjalë të Kryeministrit të Shqipërisë përpara Parlamentit të Kosovës, ditën e festimeve zyrtare të 10-vjetorit të Pavarësisë, prelud i një plani për bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës përpara integrimit të tyre në Bashkimin Europian? Në çdo rast deklarata ka ndezur llampën e alarmit në Bruksel.
“Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Punëve të Jashtme dhe Sigurisë në BE, Catherine Ray.
Përballë propozimit të Ramës që ngjason me atë një federate, zëdhënësja e BE tërheq vëmendjen se Brukseli mbështet perspektivën e qartë integruese të Ballkanit Perëndimor, si për të theksuar se i vetmi destinacion i perbashket mes Shqipërisë dhe Kosovës eshte ai Europian.
Propozimi për një President të përbashkët kombëtar për Shqipërinë dhe Kosovën vjen pasi kryeministri Rama ka marrë 4 zëvendësministra nga Kosova për qeverinë e Shqipërisë. Por zgjedhja e një Presidenti, i cili në të dy vendet zgjidhet prej Parlamenteve respektivë, është aktualisht një proces i pamundur juridikisht.
Propozimi është parë me skepticizëm në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, përmes një postimi në Facebook, komenton jo pa ironi.
“Seancë me një zbulim të madh për “President të përbashkët”fjalë sa për të thënë,por e papranueshme,e rrezikshme,e dëmshme për Kosoven,integrimin tonë euro-atlantik”, shkruan ai.
Analisti nga Kosova, Imer Mushkolaj, tha për BIRN se Kryeministri i Shqipërisë synonte të tërhiqte vëmendjen politike. Sipas tij, “Rama e di se propozimi është i pamundur të realizohet”.
Analisti shton se “Deklarata tingëllon hipokrite nëse mbajmë në konsideratë se dy shtetet kanë probleme elementare bashkëpunimi, duke filluar me tarifat doganore”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


