Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku policia ukrainase ka raportuar se krimi ka ndodhur për shkak të punës së tij.
Gazetari Arkadiy Babchenko, 41 vjeç, u gjet i plagosur në shtëpi nga bashkëshortja e tij dhe pavarësisht se u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ai nuk ia doli dot mbanë.
“Policia ka marrë një telefonatë nga mjekët që thonë se gruaja e kishte gjetur burrin në apartament të mbuluar me gjak. Viktima vdiq nga një plagë, thuhet se kishte plagë në shpinë”, tha Ministria e Brendshme mbrëmjen e djeshme.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju Jork tha se “autoritetet ukrainase duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë” në vrasjen e Babchenko-s.
Gazetari ishte një kritikues i ashpër i politikave të Kremlinit, lidhur me aneksimin e Krimesë nga Moska, apo mbështetjen e saj për kryengritësit separatistë në Ukrainën lindore dhe fushatën ruse në Siri.
“Ai ishte një mik i imi, pozita e tij anti-ruse dhe veprimtaria anti-ruse janë motivi i vetëm, ai ka folur rregullisht në mbështetje të Ukrainës, kundër Putinit, kundër Rusisë dhe së fundi ka marrë kërcënime të shpeshta nga Federata Ruse. Ai kishte marrë kërcënime me vdekje për veten e tij dhe familjen”, tha një vullnetar ukrainas, Myroslav Hai.
Anton Gerashchenko, këshilltari i ministrit të brendshëm, tha se hetuesit do të shikojnë përpjekjet e agjencive ruse të spiunazhit për të hequr qafe gazetarin, i cili sipas tij po përpiqej të tregonte të vërtetën për atë që po ndodh në Rusi dhe Ukrainë.







