Deputeti i Partisë Demokratike Luciano Boçi, ka publikuar procesverbalin e Komisionit të Edukimit dhe Informimit, ku janë miratuar 279 nenet e ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të gjitha këto pa praninë e opozitës.
Krahas procesverbalit të publikuar përmes fotove, Boçi shprehet me ironi se mazhoranca ka arritur kulmin e shpejtësisë, duke ua kaluar edhe Ferrarit, Lamborghini-t apo dhe Maseratit.
“KULMI I SHPEJTËSISË….
Nuk është arritur as nga Ferrari, as Lamborghini, as nga Maserati…
Jo!
Kulmin e shpejtësisë e ka kapur….Komisioni ynë parlamentar i Edukimit, me vetëm deputetët e mazhorancës.
A e mendoni?!!!
Vetëm për 15 minuta ka miratuar nen për nen, jo pak, por plot 279 nene të ligjit më të gjatë të sjellë ndonjëherë, atij të Trashëgimisë kulturore.”, shkruan Boçi.
Në fakt, seanca e komisionit parlamentar u bojkotua nga opozita e cila nuk pranon të zhvillohen seanca normale pa u zgjidhur çështja e ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, për të cilin kërkon dorëhqeqjen.
Deputeti Boçi shprehet se përpos faktit që këto nene janë miratuar pa praninë e opozitës, një tjetër paradoks është fakti që as deputetët e mazhorancës nuk pyeten për kundërshtime apo abstenime dhe i gjithë procesi i votimit është kryer në vetëm 15 minuta siç e tha ai.
“Megjithëse për këtë ligj u bënë seanca dëgjimore maratonë, me mendime nga më të ndryshme specialistësh, asgjë nuk u pasqyrua.
Momenti për diskutim dhe ndryshime të domosdoshme është pikërisht kjo fazë e diskutimit.
Por robotizimi ekstrem dhe bindja e verbër e deputetëve ka kapur majat.
Siç shihet nga proces-verbali i mbledhjes deputetët thjeshtë ngrejnë dorën pas pyetjes:
Jeni dakort?
Normal askush nuk ka guxuar të dalë kundër “vijës”.
Nuk pyeten siç e lyp rregullorja: Pro? Kundër? Abstenim?
E më pas të bëhen korrigjime apo rregullime.
Lodhen pra!
Madje në nene të caktuara as nuk u merret fare dora e dakortësisë.
Thjesht kalohet në nenet suksesive.
Ky pra është serioziteti zero i kësaj mazhorance në ligjet që servir, që po kap kulme të papara!!!”, shkruan Boçi.







