E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
John McCain, më shumë një “tradhëtar” se sa hero
Sot

John McCain, më shumë një “tradhëtar” se sa hero

Ditën e djeshme, Senatori amerikan John McCain ndërroi jetë pas një lufte disavjeçare me kancerin në tru, katër ditë para ditëlindjes së tij të 82-të. Disa herë kandidat për president dhe gjashtë herë i zgjedhur si Senator për shtetin e Arizonës, McCain është shpallur një hero lufte, megjithëse u kap dhe u torturua në burgjet e Vietnamit të Veriut.

Përveç këtyre, McCain mund të jetë një njeri me eksperiencë të madhe, por nuk mund të quhej “i denjë” për të mbajtur pozicionin e tij në senat. Senatori republikan shpesh herë nuk shkonte në një vijë paralele me qëndrimet e partisë së tij moderne.

Opozitar i madh i Presidentit Trump dhe i ideologjive libertariane, John McCain njihej si një ndër zërat më të lartë neo-konservatorë dhe — siç quhen në Amerikë — skifter lufte. Kishte ide të njëjta me ata politikanë të krahut të djathtë, të cilët njihen si “Rockefeller Republicans” — ose siç i quan portali i ekstremit të djathtë të lajmeve, ‘Breitbart’, Republikan vetëm në emër.

Më shumë se një hero lufte dhe një hero i neo-konservatorëve, John McCain mund të quhet si një tradhëtar i Partisë moderne Republikane, i konservatorëve amerikanë dhe libertarianëve.

Megjithëse në media po flitet shumë vdekja e tij, ai nuk e meriton gjithë këtë lavdi. Opozitarizmi i tij arriti deri aty sa të thoshte se nuk donte që Presidenti Donald Trump të merrte pjesë në varrimin e tij. Dukej si një politikan i paguar nga të majtët liberalë dhe socialistë për t’i bërë ballë një presidenti anti-globalist dhe të paparashikueshëm.

Nuk është thjesht çështja e ideologjisë. McCain njihet edhe për luftën e tij kundër politikës së jashtme të administratës së Obamës. Megjithatë, shumë pak republikanë kanë mbajtur qëndrime si ato të McCain këto dy vitet e fundit. Mbase atij nuk i pëlqeu gjithë ky modernizim i partisë më të madhe dhe më të vjetër në Amerikë.

Libri The Almanac of American Politics i konsideron qëndrimet e John McCain në vitin 2013 60% konservatore dhe 40% liberale (lexo këtu). Ndërsa në 2012 shifrat ishin krejt të ndryshme: 73% konservator dhe 27% liberal. Pra, kemi një “ndryshim identiteti” në çështjen e pozicioneve dhe ideologjisë së Senatorit nga Arizona.

Tepër e çuditshme për një politikan që ka mbajtur për gjashtë mandate rresht një nga pozicionet më të larta në Kongres dhe Uashington. Për McCain mund të thuhet fare thjeshtë se ishte pjesë e establishmentit republikan — pa harruar Mitt Romney-n. Por, mbi të gjitha, ai do të mbahet mend jo vetëm si hero lufte, por edhe si tradhëtar i të djathtëve dhe republikanëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.