E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Lleshi’/ Analisti i njohur: Presidenti Meta, integritet i lartë institucional! Rama të respektojë vendimin
Sot

“Lleshi’/ Analisti i njohur: Presidenti Meta, integritet i lartë institucional! Rama të respektojë vendimin

Analisti i njohur mentor Nazarko, ndërsa ka komentuar çështjen ‘Lleshi’, ka folur me vlerësime për figurën e presidentit të Republikës Ilir Meta.

I ftuar në në Top Channel,  Nazarko ka deklaruar se cilido që të jetë vendimi i Metës ditën e sotme për dekretim apo mosdekretim të Sandër Lleshit, kryeministri duhet të respektojë vendimin.

“Duke abstraguar nga emrat e kryeministrit dhe presidentit të sotëm, e gjithë kjo që ndodhi do të duhet lexuar si një përpjekje e Presidencës për të imponuar respekt institucional. Çdo kryeministër duhet ta respektojë presidentin, duke u konsultuar me të për emrat që vendos për ministër, e sigurisht duke dhënë arsye për emërimin apo shkarkimin e dikujt. Ky është një komunikim krejt normal ndërinstitucional, për të cilin në fakt u desh kalimi i dy afateve kushtetuese, për gati dy javë. Gjithashtu është edhe një moment për të kapërcyer atë, që nga Presidenca është interpretuar si një problem i krijuar me të ashtuquajturën ndarje e pushteteve civile nga ato ushtarake”, u shpreh analisti Mentor Nazarko.

Por a mund të thuhet se, qëndrimi i Metës i ktheu në një kuptim legjitimitetin publik presidentit, si figurë institucionale? Vallë presidentët e mëparshëm e kishin çuar Presidencën, apo postin e tyre drejt një koncepti honorifik?

“Unë vet kam punuar me presidentin Mejdani, i cili e kishte këtë dinjitet dhe e ruajti edhe me një kryeministër i Fatos Nano, në periudhën e parë të tij korrik-gusht 1997 deri në shtator të vitit 1998. Ai kryeministër kishte mbi 2/3-at e Parlamentit, kishte autoritet moral dhe politik, pasi nuk ishte i njollosur nga ato afera që do të vinin më pas. Mejdani, 6 muaj pasi Nano ishte kryeministër i refuzoi atij të emëronte menjëherë, pa kurrfarë motivacioni, 8 ministra dhe imponoi standardin e konsultimit paraprak për të paktën 4 role ministrash; si ai i Brendshëm, i Jashtëm, i Drejtësisë dhe i Mbrojtjes”, solli në kujtesë Nazarko.

Këtë, analisti e quajti si zbatim i rregullave kushtetuese të pashkruara, edhe pse presidenti në kohën e Mejdanit kishte më shumë kompetenca kushtetuese. Prej atëherë, Presidenca ka ardhur duke u dobësuar, në kontekstin institucional dhe kushtetues.

“Mejdani ka qenë në fakt president me paketën kushtetuese në fuqi deri më 28 nëntor 1998, e pastaj me Kushtetutën e re që hyri në fuqi me kryeministër Majkon e më pas Metën. Në këtë kuptim, ai ka treguar se e ka respektuar dhe i ka imponuar respekt rolit të presidentit. Kjo është e domosdoshme, nëse ne do të flisnim se Rama ka vendosur kontrollin në të gjithë shtetin”, deklaroi më tej Nazarko.

Duke lënë mënjanë pasqyrën institucionale, a është kjo në kontekstin politik një “thyerje hundësh” ndaj kryeministrit?

“Edhe mund të jetë e tillë, por kur analizojmë procese ne duhet të merremi edhe me pasojat në interesin publik apo në aspektin kushtetues e institucional të vendit. Praktikisht ne kemi një president, tek i cili dhe para të cilit, kryeministri duhet të matet mirë kur të bëjë veprimin e radhës. Edhe në rast se, në fund të fundit do të ketë shkëmbim nderesh, ‘ti më emëro këtë, që unë të të emëroj atë’, edhe kjo është dialektikë institucionale”, tha Mentor Nazarko.

Nazarko deklaroi se kjo ndoshta mund të ishte një lojë e Metës për të treguar se ai ka autoritet dhe nuk është thjesht një lodër, duke gjetur kështu artificën e të qenit ushtarak.

“Megjithatë, nga ky veprim i tij, që mund të ketë frymëzim personal, ka një përfitim praktika e funksionimit të shtetit shqiptar. Pasi kryeministrit i duhet të matet mirë tashmë sa herë t’i drejtohet presidentit për diçka. Sigurisht ka edhe llogari politike, nuk ka një vijë ndarëse të prerë me thikë mes karrierës së Metës si kryetar i LSI-së, apo si president. Ai ndoshta bën llogari edhe për të ardhmen e tij politike, kështu që asgjë nuk është e paligjshme në këtë”, u shpreh Nazarko.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.