Aksident tragjik në Durrës me 3 viktima dhe 2 të plagosur
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur rreth orës 02:22 në rrugën dytësore në Manzë të Durrësit, duke shkaktuar tre viktima dhe dy persona të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, 25-vjeçari K. V., i cili drejtonte automjetin, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një bordurë betoni.
Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e automjetit, K. V., 25 vjeç, si dhe për dy pasagjerët që udhëtonin me të, S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç.
Në aksident kanë mbetur të plagosur edhe dy pasagjerë të tjerë, R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç. Të dy janë transportuar drejt Tiranës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.
Sipas policisë, gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit K. D. paraqitet e rëndë.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në përplasjen tragjike.
Hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e aksidentit dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ketë ndikuar në ngjarjen e rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



