Alarmi për pengmarrje në Sarandë, reagon me shpejtësi policia
Një ngjarje e pazakontë është raportuar mesditën e së mërkurës në zonën e Qafë Gjashtës, në Sarandë, ku fillimisht u dyshua për një rast rrëmbimi.
Sipas informacioneve paraprake, mendohet se është rrëmbyer shtetasi me inicialet F.M., me motiv të dyshuar larje hesapesh.
Megjithatë, policia e Sarandës ka reaguar pas publikimit të lajmit, duke sqaruar se 19-vjeçari ndodhet aktualisht në komisariat dhe po jep deklaratën e tij në lidhje me një konflikt personal që ka pasur me një tjetër shtetas.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Në lidhje me një njoftim të publikuar në media, se një shtetas është rrëmbyer në qytetin e Sarandës, ju informojmë se:
Shtetasi i identifikuar me iniciale F. M, 19 vjeç, aktualisht ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe po jep deklaratën e tij lidhur me një mosmarrëveshje që ka pasur me një tjetër shtetas.
Vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin e personave të përfshirë në të”, njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



