E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Analiza/ “Debati i çuditshëm parlamentar Rama – Hajdari. Pse kryeministri ndihej i bezdisur nga…”
Sot

Analiza/ “Debati i çuditshëm parlamentar Rama – Hajdari. Pse kryeministri ndihej i bezdisur nga…”

Ervis Iljazaj

Nuk është parë deri më sot në Parlamentin e Shqipërisë një debat kaq i sforcuar, kaq i çuditshëm dhe kaq fals sa ai i djeshmi midis Edi Ramës dhe Rudina Hajdarit. Megjithëse kryeministri i Shqipërisë kërkonte të jepte idenë se ai ishte një debat i vërtetë, gjuha e tij e trupit tregonte qartësisht dhe nuk e fshihte dot pakënaqësinë e atij debati, deri duke u ndier i bezdisur nga një shfaqje e tillë, e cila nuk ishte kurrsesi në nivelin e një prej politikanëve më të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar.

 

Me gjithë respektin për deputeten Hajdari, që për shumë arsye meriton të jetë në Parlament më shumë sesa disa prej atyre që tashmë janë jashtë, debati i saj me Edi Ramën ishte një debat që të jepte ndjesinë e një formaliteti, jo nga ana e saj, por nga ana e kryeministrit, që nuk e fshihte dot sforcimin për ta çuar deri në fund atë.

Dhe kjo shfaqje e çuditshme ka vetëm një arsye: Rudina Hajdari nuk është në të vërtetë kundërshtarja politike e kësaj mazhorance dhe e kryeministrit Rama. Jo për faj të zonjës Hajdari, por për arsyen se ajo nuk përfaqëson popullin opozitar të 25 qershorit.

Megjithëse Edi Rama replikonte me zonjën Hajdari, thelbin e diskutimeve të tij dhe mesazhet kryesore i kishte për opozitën që është jashtë Parlamentit. Në këtë kuptim, debatet midis tij dhe deputetes Hajdari për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për ndryshimet kushtetuese, apo çështje të tjera thelbësore të sistemit politik shqiptar, ishin debate që nuk bindnin askënd për vërtetësinë dhe rëndësinë e tyre. Këtë gjë, Edi Rama e di mjaft mirë dhe për këtë arsye lexohej qartë pakënaqësia e tij në këto replika. Me gjithë sforcon për të dhënë idenë se çdo gjë vazhdon si më parë, edhe pse gjysma e përfaqësuesve të shqiptarëve ndodhet jashtë Parlamentit, është pothuajse e pamundur, edhe për atë që është mjeshtër komunikimi për të fshehur falsitetet e atij debati parlamentar.

Debatet parlamentare, që të jenë të vërteta, kërkojnë kundërshtarë të vërtetë. A mund të jetë Rudina Hajdari kundërshtari politik i Edi Ramës?!

Edhe pse ndoshta i intereson politikisht të krijojë idenë se kjo qeveri ka kundërshtarë politikë dhe jeta parlamentare vazhdon normalisht, vetë Rama me të gjitha gjasat ndihet keq si politikan, si një nga njerëzit më të rëndësishëm të saj gjatë tranzicionit, duke u përballur në Parlament me nivele të tilla debatesh dhe kundërshtarë jo realë. Sepse, karakteri i tij politik nuk mund të pranojë që debatin e tij kryesor ta zhvillojë me një zonjë rishtare në politikë dhe që nuk përfaqëson vërtet dialektikën politike shqiptare.

Në këtë kuptim, një politikan i një peshe të tillë si Edi Rama, nuk mund të ndihet mirë kurrsesi kur ka përballë një kundërshtar kaq të lehtë. Është njësoj sikur një yll futbolli të shënojë gol me portën bosh dhe pastaj të festojë, sepse rezultati ishte i thellë në favor të tij.

Përtej historisë së djeshme të debatit midis Ramës dhe Hajdarit, ajo që duhet të na dëshpërojë është fakti se si Parlamenti i Shqipërisë është kthyer thjesht në një procedurë, si një seancë që duhet të zhvillohet dhe kaq, sa për t’u mbajtur shënim në procesverbal. Pa një garë të vërtetë politike, pa një debat real dhe pa diskutimin e ideve që duhet të gëlonin në atë sallë. Mirëpo, që ta bësh Parlamentin funksional, duhet me patjetër që gara brenda tij të jetë midis përfaqësuesve të qytetarëve. Deputetët e rinj, me gjithë të drejtën kushtetuese që kanë për të qenë të tillë, nuk përfaqësojnë shqiptarët, por janë thjesht deputetë proceduralë. Herët apo vonë, Edi Rama do të kthehet te debatet dhe gara e vërtetë politike, pasi nuk mund të ndodhë ndryshe në një demokraci dhe deputetët e rinj do ta kuptojnë se mandati i tyre parlamentar ishte i përkohshëm dhe se të qenët kundërshtarë politikë të kësaj qeverie ishte një iluzion. /Gazeta Liberale

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.