Anija greke e naftës sulmohet në Detin e Zi, shpëton ekuipazhi
Një incident i rrezikshëm është regjistruar në Detin e Zi, ku një cisternë nafte me flamur grek është goditur nga një raketë ose një dron i vogël, ndërsa ndodhej rreth 14 milje detare larg portit të Novorossiysk.
Anija “Maran Homer”, në pronësi të sipërmarrëses greke të transportit detar Maria Angelicoussi, pësoi dëmtime materiale në anën e djathtë të trupit të saj, megjithatë situata në bord mbeti nën kontroll dhe nuk u raportuan të lënduar.
Në momentin e incidentit, në bord ndodheshin 24 anëtarë të ekuipazhit: 10 shtetas grekë, 13 filipinas dhe një rumun. Të gjithë rezultojnë në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas informacioneve paraprake, marinarët arritën të shmangin rrezikun në kohë, duke u evakuuar në momentet kritike.
Anija i përket kompanisë detare Maran Gas Maritime dhe, sipas burimeve të medias greke, në kohën e sulmit ajo nuk kishte ngarkesë në bord. Pavarësisht goditjes, cisterna vazhdon të jetë funksionale dhe ka mundur të vijojë lundrimin në mënyrë të pavarur, pa kërkuar ndihmë nga autoritetet detare.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e sakta të incidentit, i cili ndodh në një periudhë kur tensionet dhe rreziqet për lundrimin në rajonin e Detit të Zi janë rritur ndjeshëm.
Ministri grek i Transportit Detar dhe Politikës Ishullore, Vasilis Kikilias, reagoi lidhur me ngjarjen duke shprehur shqetësim për situatën. Ai theksoi se sulmi ndaj një anijeje tregtare është një veprim i papranueshëm dhe i rrezikshëm për sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.
Sipas tij, Athina do ta ngrejë këtë çështje në nivelin e institucioneve evropiane dhe në çdo forum të nevojshëm, duke kërkuar reagim të fortë ndaj sulmeve që rrezikojnë flotën tregtare. Kikilias theksoi se transporti detar duhet të mbetet jashtë çdo konflikti, pasi pa funksionimin e tij nuk mund të ekzistojë tregtia globale.
Ndërkohë, Ministria e Transportit Detar e Greqisë konfirmoi se nga sulmi nuk është shkaktuar ndotje në det dhe se anija po vazhdon lundrimin normalisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



