Arrestohet fallxhorja në Krujë
Iu merrte njerëzve para dhe sende me vlerë
Personi në foto është Elena Muhaxhiri e cila u arrestua ditën e sotme në Fushë-Krujë.
43-vjeçarja mashtronte qytetarët se dinte të parashikonte të ardhmen.
E akuzuar për mashtrim, Elena zhvaste qytetarëve para dhe sende me vlerë për të parashikuar të ardhmen e tyre.
Mahaxhiri është kapur dhe është ndaluar, teksa është dënuar me 2 vite burg për veprën penale “Mashtrimi”.
Ajo ka qenë në kërkim sepse më herët Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetase, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm.
Njoftimi i Policisë:
Krujë/Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Streha”.
Vihet në pranga një shtetase që ishte shpallur në kërkim pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm, duke i mashtruar se mund t’i parashikonte të ardhmen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Streha”.
Si rezultat i këtij operacioni, në Fushë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetases në kërkim Elena Muhaxhiri, 43 vjeçe, banuese në Fushë Krujë.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetase, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm, duke i premtuar se mund t’i parashikonte të ardhmen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



