Bardhi i quan qesharake arrestimin e dy punonjësve të bashkisë nga SPAK: Prokuroria e Posaçme t’i shkojë në fund hetimit për inceneratorin e Tiranës
Deputeti Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme që t’i shkojë deri në fund aferës për inceneratorin e Tiranës.
Sipas tij është skandaloze që të arrestohen 2 punonjës në një kohë që nuk është arrestuar personi që dha shumën për inceneratorët kur nuk diheshin pronarët.
“Në vend që të reflektojnë dhe t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së faktorit ndërkombëtar po kryejnë çdo akt për të thelluar bllokimin e punës së qeverisë. Dua të shpreh vendosmërinë për të qëndruar në aksionin në Parlament dhe për përshkallëzim të aksionit tonë. Më njoftojnë që e kanë futur Gardën në gatishmëri. Ne jemi në një regjim dhe regjimi i do forcat në gatishmëri. I bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme t’i shkojë në fund hetimit për inceneratorët. Ky skandal nuk do ta shfokusojë punën për t’i shkuar në fund aferës së inceneratorëve”, tha Bardhi
IMUNITETI I BERISHËS
Bardhi bëri me dije se pa u plotësuar tre kushtet që opozita ka vendosur nuk mund të shkohet në votim normal.
Ai shprehet se nëse Rama përmbush kërkesat e opozitës, kthehen në votimin normal të kësaj kërkese.
“Ne jemi njohur përmes medias. Është lajm i mirë që SPAK e di adresën e Kuvendit të Shqipërisë. Kishim humbur besimin që njihte besimin kushtetues. Qëndrimi jonë por dhe i zotit Berisha ka qenë që votojmë çdo gjë që vjen nga SPAK. Rama të përmbushë kërkesat e opozitës dhe të kthehemi në votimin normal të kësaj kërkese. Ne rikthehemi menjëherë në normalitet me plotësimin e tre kërkesave, në rast të kundërt asnjë çështje nuk devijon aksionin e nisur më 5 tetor. Asnjë çështje nuk mund t’I mbivendoset kësaj. Sot nuk kam njoftim as unë as anëtarët e opozitës për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Anëtarëve. Asnjëri nuk është njoftuar për të marrë pjesë në mbledhje. Ne do të vazhdojmë aksionin tonë dhe hap pas hapi do të përshkallzojmë.”, tha Bardhi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



