Basti i rrezikshëm i Ramës me familjen Trump! Deutsche Welle:
Shqipëria po shkëmben bregdetin për ndikim politik?
Një dokumentar i ri i Deutsche Welle e vendos Shqipërinë në qendër të një debati që shkon përtej një investimi turistik. Në fokus është projekti miliarda dollarësh i Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, si dhe protesta qytetare e njohur tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, e cila kundërshton ndërtimin në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Dokumentari ngre një pyetje thelbësore: a po përdor qeveria shqiptare bregdetin si monedhë shkëmbimi për të fituar ndikim gjeopolitik dhe lidhje më të forta me administratën Trump?
Në hyrje të dokumentarit, Deutsche Welle e përshkruan rezistencën ndaj projektit si një histori ku ndërthuren zhvillimi i pasurive të paluajtshme, interesat gjeopolitike, pakënaqësia qytetare ndaj qeverisë shqiptare dhe mbrojtja e një prej ekosistemeve më të rëndësishme të vendit.
Sipas dokumentarit, fondi i investimeve Affinity Partners, i drejtuar nga Jared Kushner, synon ta transformojë zonën në një resort luksoz me deri në 10 mijë dhoma hoteli. Për qeverinë shqiptare ky projekt paraqitet si një mundësi për tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e profilit ndërkombëtar të vendit.
Megjithatë, autorët theksojnë se kundërshtarët nuk e konsiderojnë këtë një investim të zakonshëm. Sipas tyre, emri i Kushner nuk përfaqëson vetëm kapital privat, por edhe një lidhje të drejtpërdrejtë me qendrën e pushtetit në Uashington.
“Emri Kushner nuk do të thotë vetëm para. Ai është i martuar me Ivanka Trump, vajzën e presidentit. Kjo do të thotë edhe akses i mundshëm në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo është një çështje e madhe për një vend të vogël si Shqipëria”, thuhet në dokumentar.
Deutsche Welle rikujton se Jared Kushner ka qenë një nga figurat më me ndikim në rrethin e Donald Trump dhe se aktualisht ushtron një rol joformal si i dërguar për çështje ndërkombëtare, duke u angazhuar në negociata që lidhen me Gazën, Ukrainën dhe Iranin. Dokumentari thekson se ky rol nuk është konfirmuar nga Senati amerikan.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit i kushtohet ndikimit mjedisor të projektit. Sipas autorëve, zhvillimi i resortit do të prekë një zonë të mbrojtur ku jetojnë flamingot, foka mesdhetare dhe breshkat e detit, duke e kthyer debatin në një përplasje mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës.
Dokumentari sjell edhe opinionin e një eksperti amerikan, i cili argumenton se ndërthurja e interesave politike dhe atyre të biznesit në familjen Trump është e pazakontë për standardet amerikane.
“Shkalla në të cilën interesat e biznesit dhe aktiviteti politik i familjes janë ndërthurur në administratën e dytë Trump është ndoshta unike në Shtetet e Bashkuara”, shprehet eksperti.
Ai kujton se Jared Kushner nuk kishte eksperiencë në sektorin financiar kur themeloi Affinity Partners, por arriti të sigurojë miliarda dollarë investime nga fondet sovrane të Arabisë Saudite dhe Katarit, çka ka ngritur pikëpyetje nëse investitorët kërkonin vetëm përfitime ekonomike apo edhe ndikim politik përmes lidhjeve të tij.
Dokumentari ndalet edhe te pozicioni i kryeministrit Edi Rama. Sipas analizës së Deutsche Welle, për qeverinë shqiptare ky projekt përputhet me strategjinë për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe politike me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.
Një nga konkluzionet më të forta të dokumentarit është se:
“Shqipëria shkëmben aksesin në tokën e saj – jo naftë apo produkte – me shpresën për të fituar para dhe akses në pushtetin politik.”
Në përfundim, Deutsche Welle e paraqet konfliktin për projektin e Zvërnecit jo thjesht si debat për ndërtimin e një resorti luksoz, por si një provë për mënyrën se si vendet e vogla përdorin asetet e tyre strategjike dhe nëse mund të negociojnë në kushte të barabarta me aktorë ekonomikë dhe politikë shumë më të fuqishëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



