Berisha ‘shigjeton’ Malajn: Ministri i “Belindës” të thonë të gjithë!
Gjatë seancës plenare në Kuvend, ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pati një përplasje verbale me ministrin Petrit Malaj, të cilin e ironizoi duke e quajtur “ministri i Belindës”.
Në fjalën e tij, Berisha iu drejtua qytetarëve duke theksuar se situata në qeveri është “jashtëzakonisht serioze” dhe se anëtarët e kabinetit janë të përfshirë në mëkate dhe afera që i kanë bërë të varur nga drejtësia.
“Qytetarë të dashur, nuk mund t’i përgjigjem një njeriu që bixhozi ia ka vjedhur rininë, por duhet ta them qartë: këtu kemi të bëjmë me mëkatarë, me njerëz që kanë dosje njëri pas tjetrit, që flenë mbi dosjet e krimit dhe janë bërë bashkë në një kompromis për të fshehur të vërtetën nga ju,” deklaroi ai.
Berisha akuzoi mazhorancën se ka ndaluar opozitën të bëjë pyetje të drejtpërdrejta në Kuvend, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për të shmangur transparencën:
“Na keni hequr të drejtën të pyesim ballë për ballë, si burri me burrin, si qytetari me qytetarin, si përfaqësuesit e njerëzve në këtë parlament.”
Ai vijoi me tone ironike dhe sfiduese:
“Të gjithë ju jeni në konflikt interesi. Dilni dhe betohuni në Kushtetutë se nuk keni dosje në SPAK! Pse iku Blendi? Ku u zhduk? Sepse edhe ai kishte dosje. Edhe ti nuk je i pastër! Belinda po ikën, dhe do të shohësh që do të të marrë me vete, se kështu ju quajnë, ‘ministri i Belindës’. Këto janë punët tuaja, jo tonat.”
Në mbyllje të fjalës, Berisha shtoi se opozita kërkon transparencë dhe llogaridhënie për mënyrën si qeveria menaxhon fondet publike:
“Ne duam të shpjegojmë pse korrupsioni po rritet, pse paratë e qytetarëve po zhduken. Mos më ndërprit, se unë s’jam fajtor që të thonë ‘ministri i Belindës’, as për ty e as për të. Problemi juaj është që keni rënë në një marrëveshje për të vendosur errësirën. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë transparencë dhe t’i lëmë qytetarët shqiptarë të gjykojnë nga pyetjet që ne bëjmë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



