Pas votimit të qeverisë së re në parlament, me ministrat e propozuar nga PD, Ben Blushi pati rastin t’i ketë të gjithë përballë. Kreu i LIBRA përmendi një shprehje të Viktor Hygoit për të përshkruar atë që ndodhi me Lulzim Bashën.
“Të gjithë njerëzit janë njësoj, ankohen, qahen, ulërasin. Pushojnë vetëm kur i fut biberonin në gojë” ishte shprehja e Viktor Hygoit, me të cilën Blushi përshkroi vendimin që mori Lulzim Basha.
“Luli e mori biberonin. Pushoi” tha Blushi që më pas iu drejtua socialistëve.
“Jua kam thënë edhe më parë: Jemi si Saliu, pa Saliun. Sot, jemi si Saliu, me Saliun. A ka ndonjë socialist që do të votojë Rilindjen me Sali Berishën pas kësaj? Çadra, Rilindja dhe Partia Presidentit në një qeveri. Do të dalin në fushatë. Kundër kujt kërkojnë vota? Kundër njëri tjetrit? Ato janë bashkë. Ka ardhur koha ta them. U bëtë bashkë për OSHEE, për burgjet, ALUIZNI-n? U bëtë bashkë që t’i ikni drejtësisë. Ju u bëë bashkë, për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi, që është bërë e tillë, që nëse je në qeveri, je i mbrojtur. Kush beson që tre palë në qeveri do bëjnë drejtësi? Dhe në fakt mbyllje më të bukur nuk kishte.
Kush voton për Çadrën, ka votuar Rilindjen. Kush voton Rilindjen ta dijë që do bashkëqeverisë me Saliun. Voto Çadrën merr Rilindjen! Voto Rilindjen, merr Çadrën” u shpreh Blushi në parlament.
Sipas kreut të LIBRA-s marrëveshja PD-PS do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve dhe tashmë rolin e Ilir Metës në qeveri do ta ketë Sali Berisha.
“Jam kurioz ta di. A do të ketë ndonjë socialist, ndonjë Rilindas që do të shajë Saliun në fushatë? Kam 4 ditë që ju shoh, si i lëpiheshit Ilir Metës për t’u bëë ministra, tani do ju shoh si do i lëpiheni Saliut. Se kështu do jetë. Kush shan Saliun nuk do bëhet dot ministër”.
Fjalimin, Blushi e mbylli me vargjet e Nolit, nga poezia “Anës lumenjve”
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Edi Rama thumbon Blushin: Je mërzitur nga marrëveshja se nuk gjete veten në tepsi
Nga foltoja e Kuvendit, kryeministri ka reaguar pas akuzave të Ben Blushit. “Nuk gjen veten në tepsi” ka thënë Rama për kreun e LIBRA-s, duke vijuar se ai është politikani më i mërzitur për marrëveshjen mes PS dhe PD.
“Kjo qeveri është krejt tjetër nga ajo që përshkroi deputeti më i mërzitur në këtë sallë nga marrëveshja. Ajo çka më ka ngjallur më shumë neveri, se përshtypje s’më ka bërë, ka qenë se pas marrëveshjes, një lukuni e tërë personazhesh të katundit mediatik dhe politik u turrën për të hedhur baltë mbi marrëveshjen. Dhe s’gjetën asnjë mënyrë më elegante për ta bërë këtë, sesa për t’u marrë me byrekun, kekun, bakllavanë, paçen, dhe gjithë asortimentet e kuzhinës ku të tërhequr nga erërat dhe nga pangopësia e tyre, shumëkush prej tyre hynë për të shpëtuar “katundarët dhe punëtorët nga zgjedha e këtyre dhe atyre.
Të gjithë e tregonin qartësisht se e vetmja gjë që i shqetësonte te marrëveshja ishte se nuk gjenin vendin e tyre në tepsi. Dhe pavarësisht lukut apo romaneve, Ben Blushi është një njeri që ka një lidhje shumë të fortë me tepsinë. Për fat të keq, vazhdon edhe këtu si zëdhënës i të gjithë atyre që ndihen të privuar në pjesën e tyre të tepsisë”, tha Rama.





