Çudia nga Irani, qeveria vendos kamera në rrugë për të monitoruar femrat që nuk mbajnë shami
Irani vijon të çudisë me rregullat e pazakonta dhe aspak njerëzore. Raportimet e fundit janë se qeveria e këtij vendi do të instalojë kamera nëpër ambiente publike për të gjurmuar gratë, që nuk vendosin shami dhe për t’i ndëshkuar sipas ligjeve të ashpra.
Pas identifikimit në kamera, gratë që shkelin ligjin do të njoftohen me mesazhe mbi paralajmërimin apo dënimin që do t’i jepet. Kjo masë, sipas policisë së Iranit, ka për qëllim shmangien e incidenteve fizike dhe parandalimin e rezistencës kundër ligjit të hixhabit.
Një numër i madh grash iraniane kanë kundërshtuar me forcë të mbajnë shami, që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsha Amini, e cila u arrestua në shtator nga policia e moralit dhe u dhunua deri në vdekje. Pas vdekjes së saj u zhvilluan protesta të mëdha, por policia arriti t’i ndalojë me dhunë.
Megjithatë, pavarësisht rrezikut të arrestimit për shkeljen e kodit të detyrueshëm të veshjes, gratë ende shihen gjerësisht pa shami në qendra tregtare, restorante, dyqane dhe rrugë. Videot e grave që ecin pa hixhabe dhe sfidojnë policinë e moralit kanë vërshuar në mediat sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



