E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Akuza për presion ndaj bizneseve dhe gjoba nga Shefi i Komisariatit
Sot

Denoncimi: Akuza për presion ndaj bizneseve dhe gjoba nga Shefi i Komisariatit

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre dyshime serioze për mënyrën se si po trajtohen bizneset dhe qytetarët në Sarandë nga strukturat vendore të policisë. Sipas pretendimeve të përcjella në redaksinë tonë, shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, dyshohet se po ushtron presion mbi biznese të ndryshme, përmes gjobash të padrejta dhe ndërhyrjesh që, sipas denoncuesit, shkojnë përtej kompetencave ligjore.

Në qendër të denoncimit përmenden edhe dy persona të tjerë, të identifikuar si Arto dhe një servis në dalje të Sarandës, të cilët sipas burimit shërbejnë si ndërmjetës informalë për vendosjen e gjobave apo ushtrimin e ndikimit mbi subjektet private. Më tej, denoncimi hedh edhe dyshime për përfshirje korruptive të drejtuesit vendor të AMP-së në Sarandë, pretendime që, për shkak të natyrës së tyre të rëndë, kërkojnë verifikim të plotë institucional dhe përgjigje zyrtare.

Rasti bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak se, sipas informacioneve të mbërritura në redaksinë e Publik Media, ka pasur ankesa të shumta nga biznesmenë dhe qytetarë të Sarandës, të shoqëruara edhe me foto e video, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si policia po interpreton dhe po zbaton ligjin në rastet e ndërtimeve dhe punimeve të ndryshme në territor.

Pikërisht për këtë arsye, Publik.al i është drejtuar zyrtarisht Komisariatit të Policisë Sarandë me një kërkesë për informacion, duke kërkuar të dhëna të detajuara mbi praktikën institucionale të ndjekur gjatë periudhës që drejtohet nga Gëzim Bashllari. Kërkesa synon të sqarojë se si policia bën dallimin mes ndërtimeve realisht të paligjshme dhe punimeve që ligji i lejon pa leje ndërtimi, pa deklaratë paraprake, apo në kuadër të procedurave administrative që nuk përbëjnë vepër penale.

Në kërkesën zyrtare, Publik Media ka kërkuar informacion mbi numrin e rasteve të trajtuara si “ndërtime të paligjshme”, sa prej tyre kanë rezultuar më pas punime të ligjshme, cilat janë kriteret konkrete të përdorura nga policia për të referuar një rast penal, si realizohen verifikimet me Bashkinë Sarandë dhe institucionet e tjera, si dhe sa qytetarë janë arrestuar, shoqëruar, ndaluar apo marrë në pyetje në kuadër të këtyre procedimeve.

Po ashtu, janë kërkuar sqarime edhe për rastet kur, sipas akteve të prokurorisë apo vendimeve gjyqësore, mund të ketë rezultuar se veprimet policore kanë qenë të pabazuara, të paligjshme ose arbitrare, për shkak të mosdallimit të saktë mes një ndërtimi të paligjshëm dhe një punimi që ligji e lejon.

Ky nuk është thjesht një rast lokal. Nëse pretendimet e ngritura nga denoncuesit rezultojnë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të ushtrimit arbitrar të pushtetit, me pasoja të drejtpërdrejta për biznesin, pronën private dhe sigurinë juridike të qytetarëve. Nëse rezulton e kundërta, atëherë institucionet kanë detyrimin të flasin qartë dhe të hedhin dritë mbi një çështje që ka krijuar klimë frike dhe pasigurie në Sarandë.

Publik.al do ta ndjekë këtë rast deri në fund dhe do të bëjë publike çdo përgjigje zyrtare, dokument apo provë që ndihmon në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Transparenca nuk është luks. Është detyrim.

Dokumenti zyrtar i dërguar nga Publik Media

Përshëndetje,

Në cilësinë e medias online Publik.al, dhe nisur nga interesi publik për mënyrën se si organet e policisë trajtojnë rastet e ndërtimeve dhe punimeve të ndryshme në territorin e Sarandës, ju lutemi të na vini në dispozicion informacion të detajuar mbi praktikën tuaj institucionale.

Rasti lidhet me denoncime të shumta nga biznesmenë dhe qytetarë të Sarandës, të shoqëruara me foto dhe video të mbërritura në redaksinë e Publik Media.

Kjo kërkesë lidhet veçanërisht me nevojën për të kuptuar se si policia bën dallimin ndërmjet:

  • ndërtimeve apo punimeve që përbëjnë vërtet ndërtim të paligjshëm;
  • punimeve që ligji i lejon të kryhen pa leje ndërtimi;
  • punimeve që ligji i lejon pa deklaratë paraprake punimesh;
  • dhe rasteve që janë në procedurë administrative, por jo domosdoshmërisht në kushtet e një vepre penale.

Për këtë arsye, ju lutemi të na sqaroni:

  1. Sa raste të “ndërtimeve të paligjshme” janë ndjekur nga Komisariati i Policisë Sarandë gjatë periudhës që ju drejtoni komisariatin?
  2. Në sa prej këtyre rasteve, pas verifikimit, ka rezultuar se bëhej fjalë për:
    • punime apo ndërhyrje që ligji i lejon pa leje ndërtimi;
    • punime apo ndërhyrje që ligji i lejon pa deklaratë paraprake punimesh;
    • punime të kryera në pronën e vetë personit, të lejuara nga legjislacioni në fuqi;
    • dhe sa raste kanë rezultuar realisht si ndërtime të paligjshme?
  3. Cilat janë kriteret konkrete ligjore dhe administrative që përdor Komisariati i Policisë Sarandë për të dalluar një ndërtim të paligjshëm nga një punim i ligjshëm që nuk kërkon leje apo deklaratë paraprake?
  4. A mjafton vetëm konstatimi në terren për ta trajtuar një rast si “ndërtim të paligjshëm”, apo përpara referimit penal kryhen verifikime pranë Bashkisë Sarandë, strukturave të planifikimit të territorit dhe institucioneve të tjera kompetente?
  5. Sa raste kanë rezultuar të jenë ndërtime apo punime në:
    • tokë private/tokë të vetë subjektit;
    • tokë shtetërore;
    • tokë publike;
    • ose pasuri të paluajtshme me status tjetër juridik?
  6. Në sa raste është konstatuar se subjekti kishte bërë deklaratë paraprake punimesh, dhe në sa raste nuk ishte i detyruar ligjërisht ta bënte një deklarim të tillë?
  7. Në rastet kur një punim apo ndërtim është në procedurë administrative, si e dallon policia nëse kemi të bëjmë me një shkelje administrative apo me një vepër penale?
  8. Si realizohet bashkëpunimi ndërmjet Komisariatit të Policisë Sarandë dhe Bashkisë Sarandë për verifikimin e statusit ligjor të punimeve apo ndërtimeve të konstatuara në terren?
  9. Sa raste ka pasur me:
    • arrestime,
    • shoqërime,
    • ndalime,
    • intervistime ose pyetje të personave,

në kuadër të dyshimeve për ndërtime të paligjshme?

  1. Në sa prej këtyre rasteve, sipas akteve të prokurorisë ose vendimeve gjyqësore, ka rezultuar se veprimet policore kanë qenë të pabazuara, të paligjshme ose arbitrare, për shkak të mungesës së dallimit midis:
  • një ndërtimi realisht të paligjshëm,
  • dhe një punimi apo ndërtimi të ligjshëm që lejohej nga ligji?
  1. A dispononi statistika apo raste konkrete ku, pas verifikimit institucional, ka rezultuar se personat e proceduar nuk kishin kryer vepër penale, pasi punimet e tyre lejoheshin nga ligji?

Theksojmë se kjo kërkesë bëhet për interes publik, pasi mosdallimi i saktë midis ndërtimit të paligjshëm dhe punimeve të ligjshme që lejon ligji mund të sjellë pasoja të rënda për qytetarët, përfshirë procedime, ndalime apo masa të tjera të pabazuara, të cilat do të përbënin veprime arbitrare në emër të zbatimit të ligjit.

Ju lutemi që informacioni i kërkuar të na përcillet brenda afatit ligjor, në rrugë elektronike, në adresën e medias sonë.

Faleminderit për bashkëpunimin.

Me besim tek zbatimi i ligjit,

Naim Noka
Publik Media
Kryeredaktor
Tiranë, më 21/04/2026
[email protected]
0692095843

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.