Haradinaj i zhgënjyer nga dështimi i Kosovës në Interpol
Pas dështimit të Kosovës për t’u pranuar në Interpol ka reaguar edhe kryemininistri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për këtë votim pasi thotës e Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.
“Sot, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.
Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik. Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti.
Qeveria e Republikës së Kosovës, falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm. Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”, shkruan ai.
Dështimin e Kosovës pët tu anëtarësuar në INTERPOL e ka komentuar edhe ambasada e SHBA në Kosovë.
Në këtë reagim thuhet se Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore.
Gjithashtu thuhet se do të vazhdojnë të mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE’së. E për të arritur këtë duhet të shmanget provokimet e mundshme dhe tani “më shumë se kurrë, të dy palët duhet ti shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



