E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dhimbje, trishtim  dhe revolta që del nga shpirti !
Sot

Dhimbje, trishtim dhe revolta që del nga shpirti !

Marin Mema

U ndala në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet, doja të nderoja e përkujtoja disa figura kombëtare. E bëj shpesh në qytete të ndryshme, e ndjej si një detyrim moral ndaj sakrificës së tyre.

Në tradhëti e vranë andartët grekë Bilal Alipostevanin në 1914. Ata ishin hedhur zonave të Përmetit ku masakruan fshatra të tërë në emër të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, por në Alipostevan u thyen keqazi duke lënë pas dhjetra të vrarë. 🇦🇱 U desh që njëri prej andartëve të bënte si i vdekur për të qëlluar në pabesi kapedan Bilal Alipostevanin. Pranë tij prehet Menduh Zavalani komandant i një ndër çetave më të njohura të jugut e juglindjes që u vra në të njëjtin vit 1914 në Pogradec, në përballjen ndaj trupave Esadiste. Edhe gjendja e vendprehjes së tij është e mjerë.

Dalip Përmeti prehet ngjitur. Edhe ai luftëtar i jashtëzakonshëm, i vrarë gjithashtu në tradhëti në periudhën e errët të betejave të ashpra pas dekadës së parë të shekullit te 20.

I qëndron në krah Daut Muço, i cili mbylli sytë në 1938 në Spanjë në betejën për mbrojtjen e Madridit. Ishte një ndër luftëtarët e parë antifashistë, historia e të cilëve pak rrëfehet.

Riza Xhunga ndodhet pak më tej. Ai u masakrua në 1913 prej grekëve që pasi e ndaluan e torturuan dhe më pas e vranë në burgun e Janinës. Më tej është Riza Velçishti që Çerçiz Topulli e quante kapedanin që bënte gjithçka për shqipen e Shqipërinë. Në 1907 kapedan Riza Velçishti u therr nga grekët që shpesh herë provuan ashpërsinë e tij për të mbrojtur trojet shqiptare.

Në pjesën ballore të varrezave të dëshmorëve prehen edhe Hajredin Malushi, Izet Dalipi, secili me historinë, sakrificat, betejat e tij.

Vendprehja e patriotit të madh At Stath Melani që me çetën e tij shpartalloi disa herë andartët grekë, që i dogjën shtëpitë e kërcënuan, ndoqën, por e ndalën vetëm me tradhëti në 1917 dhe ajo e Kamber Bënjës, ushtarakut e patriotit që u vra nga Austrohungarezët se mbronte monumentet shqiptare në 1916 janë të vetmet të rregulluara, dukshëm nga pasuesit e tyre.

Pjesa tjetër e vendprehjeve të dëshmorëve është në shumicë e njëjtë. Mermere të krisura, betone të thermuara, dikund ndonjë bojatisje e lodhur që nuk i mbulon vragat e kohës. Dhe kështu janë thuajse kudo në Shqipëri varrezat e dëshmorëve.

Në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet fasada, hyrja, monumenti ballor është lyer e restauruar me kujdes, po kështu pastërtia që e dallon këtë qytet bije në sy, por dhimbja ndihet kur viziton brendinë e varrezave e kupton sakrificat e këtyrë patriotëve dhe vlerësimin e pakët që ata marrin sot. Dhimbje, sa dhimbje.

Ka ardhur koha që kudo Varrezat e Dëshmorëve të restaurohen, të ruhen, e të mos respektohen siç bëjnë shtetarët vetëm në data të caktuara. Dëshmorët, patriotët, janë krenaria e jo ata që e kanë dashur këtë vend për ta ndukur e rrjepur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.