Dy ambasadorët Romana Vlahutin dhe Donald Lu i bëjnë qokën e fundit Kryeministrit….
Dy ‘avokatët’ e Rams Prokurori i ri të zgjidhet pa Vetting
Pas një periudhe heshtjeje, çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri, duket se ka “zgjuar” dy ambasadorët Romana Vlahutin dhe Donald Lu.
Ndërkohë që palët po diskutojnë në Komisionin e Ligjeve lidhur me procedurën e zëvendësimit të Adriatik Llallës, në një sinkronizim dy përfaqësuesit e delegacioneve përkatëse, SHBA-ve dhe BE-së, Lu dhe Vlahutin kanë përcjellë dy deklarata me të njëjtin mesazh: “Llallës i ka mbaruar mandati, zgjidhni prokurorin e përkohshëm pa Vetting”.
Qëndrimi i ambasadorëve Lu dhe Vlahutin përkon me atë të Kryeministrit Rama, për përzgjedhjen e prokurorit të ri.
Mazhoranca po nxiton të përzgjedhë prokurorin e ri, ndërsa opozita kundërshton me forcë zgjedhjen e tij nga partitë politike, duke i mëshuar faktit se ky është një funksion i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe se prokurori i ri duhet t’i nënshtrohet procesit të Vettingut, proces që do e kryejë KLP-ja.
Ndërkohë që zgjedhja e tij nga Parlamenti, siç mazhoranca nuk parashtron asnjë filtër verifikues dhe i hap rrugë një votimi me shumicë prej 36 vota.
Bie në sy reagimi i Lu dhe Vlahutin, pas një letargjie të gjatë për disa çështje që shqetësojnë BE-në dhe SHBA-të. Lu dhe Vlahutin zgjodhën të mos komentonin çështjen Tahiri-Habilaj. Prej më shumë se dy vitesh nuk kanë folur për kanabisin që u kthye në problem kryesor për vendet e BE-së, të cilat përfaqësohen në Shqipëri nga ambasadorja Vlahutin.
Por në rolin e ‘avokatëve’ të qeverisë, ata lëshojnë deklarata që çuditërisht janë gjithmonë të njëjta me qendrimin e Ramës. Vettingu i trumbetuar aq fort dhe duke iu bërë kokën ‘dhallë’ shqiptarëve, po rezulton një proces sa qesharak aq dhe i pabesueshëm. Imuniteti i Tahirit dhe zgjedhja e prokurorit të ri pa Vetting, janë shembujt më të qartë të këtij procesi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


