E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dy javë nga mbyllja e qeverisë, takim në Shtëpinë e Bardhë për kompromis
Bota

Dy javë nga mbyllja e qeverisë, takim në Shtëpinë e Bardhë për kompromis

Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit e Kongresit pritet të takohen të premten paradite në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si do t’i japin fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, e cila ka hyrë në javën e saj të tretë.

Takimi vjen një ditë pas betimit të një grupi të ri ligjvënësish duke bërë që Dhoma e Përfaqësuesve të udhëhiqet tashmë nga demokratët.

Të enjten kjo dhomë miratoi një plan për të rihapur qeverinë federale.

Por paketa nuk përfshin shumën prej 5 miliardë dollarësh që presidenti ka kërkuar për ndërtimin e një muri në kufirin jugor të vendit me Meksikën.

Ideja e masave është rihapja e qeverisë ndërsa çështja e murit të lihet për negociata të veçanta.

“Nuk do të ndërtojmë mur,” tha demokratja Nancy Pelosi, pasi bëri betimin si kryetarja e re e Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas saj do të ishte më mirë që paratë të përdoreshin për teknologjinë e sigurisë kufitare dhe punësimin e më shumë agjentëve kufitarë.

Por udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell e cilësoi paketën ligjore të Dhomës së Përfaqësuesve “teatër politik” edhe pse Senati i udhëhequr nga republikanët miratoi një projektligj identik muajin e kaluar.

Legjislacioni i miratuar të enjten në Dhomën e Përfaqësuesve parashikon rihapjen e qeverisë federale dhe financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare deri në fillim të muajit shkurt.

Ndërsa vetë Presidenti Donald Trump nuk e ka përdorur fjalën “veto”, të tjerë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e kanë përmendur si mundësi. Një zyrtar tha se presidenti u kishte thënë udhëheqësve demokratë se ai “do të dukej si i marrë” në qoftë se i jepte fund mbylljes së pjesshme të qeverisë.

TRUMP FAJËSON DEMOKRATËT

Presidenti Trump fajëson demokratët për situatën aktuale.

“Mbyllja e qeverisë ka të bëjë vetëm me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, shkroi ai të enjten në twitter. “Demokratët e dinë se nuk mund të fitojnë për shkak të të gjitha arritjeve të Trumpit, kështu që ata janë përqendruar në murin dëshpërimisht të nevojshëm dhe sigurinë e kufirit…Për ta është thjeshtë politikë”.

Presidenti Trump tha se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika. Ai tha se më shumë se 35 milionë emigrantë të paligjshëm janë në Shtetet e Bashkuara duke rënë në kundërshtim me ekspertët që pohojnë se ky numër është shumë më i vogël. Ndërkohë, 800 mijë punonjës federalë po qëndrojnë në shtëpi ose punojnë pa pagesë prej dy javësh. Pirgjet e mbeturinave po rriten në parqet kombëtare, të cilat janë mbyllur zyrtarisht, sikurse edhe shumica e objekteve më të njohura turistike të Uashingtonit. (VOA)

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.