Eklipsi i plotë i Diellit
Pas pak, disa miliona banorë të planetit tonë do të kenë fatin të shohin një shfaqje drithëruese natyrore.
Eklipsi i plotë i Diellit kësaj here i shfaqet amerikanëve, me urimin që asnjë re, sado e vogël, të mos ia cënojë madhështinë e ngjarjes.
E meritojnë një dhuratë të tillë nga Natyra, për mbështetjen e madhe që i japin shkencës së hapësirës. Anijet kozmike dhe teleskopët e Agjencisë Spaciale Amerikane NASA janë disa nga sytë e tokësorëve që shohin botën e largët, duke kërkuar Fillimin e duke qëmtuar yll pas ylli për të tjera qënie të ngjashme me ne.
Eklipsi i Diellit ndodh ngaqë Hëna, si çdo trup tjetër që ndriçohet nga Dielli, lëshon hije. Po kur kjo hije bie mbi Tokë, banorët e asaj zone shohin për pak minuta Diellin të zihet, qiellin të errësohet e të pikëlohet nga yjet mu në mes të ditës.
Një mrekulli e natyrës, që do ia shtoja 7 të tjerave, renditur nga National Geografic. Dhe nuk e shpjegoj dot se pse Eklipsi i plotë i Diellit nuk është në atë listë, krahas Aurorave Polare, kanioneve e ujvarave.
Ndoshta ngaqë nuk ka një zonë të preferuar dhe sezon të caktuar, por i bindet tekave të lëvizjes së Diellit, Tokës dhe Hënës. Nuk na bindet ne njerëzve, sigurisht, por ne njerëzit dimë ta themi saktësisht se ku ndodh, jo një javë e një muaj, por vite, dekada e shekuj para ngjarjes. Dija jonë sfidon edhe kësaj here tekat e Natyrës, e kjo na bën krenarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


