FBI sekuestron një nga makinat më të rralla në botë
Vetëm gjashtë njësi të Mercedes-Benz CLK GTR Roadster ekzistojnë në mbarë botën — dhe një prej tyre ndodhet tashmë në duart e… FBI-së.
Ky model legjendar, një nga supermakinat më ekstreme dhe më të rralla që AMG ka prodhuar ndonjëherë për homologimin e garave të Le Mans në fund të viteve ’90, u bë pjesë e një prej operacioneve më të bujshme të FBI-së, pasi iu sekuestrua ish-kampionit olimpik në arrati, Ryan Wedding.
Agjencia amerikane konfiskoi CLK GTR Roadster të vitit 2002, me vlerë rreth 13 milionë dollarë, si provë brenda Operacionit “Giant Slalom”, i cili ka në shënjestër kartelin ndërkombëtar të drejtuar dyshohet nga Wedding, një ish-snowboarder olimpik që ndodhet në listën Top 10 të të arratisurve më të kërkuar të FBI-së.

Një ikonë e epokës së artë të Le Mans
CLK GTR është produkt i një periudhe ku prodhuesit luftonin për prestigj në Le Mans dhe duhej të prodhonin modele të homologuara për rrugë. Kështu lindën “përbindësha” si Porsche 911 GT1, Nissan R390 dhe, natyrisht, supermakina ekstreme e Mercedesit.
Nga 28 ekzemplarë të prodhuar, vetëm 6 ishin roadster, çka e kthen versionin me tavan të hapur në një relike ultra-të rrallë. Nën kapak, modeli fsheh një V12 6.0-litërsh me afro 600 kuaj fuqi, që ngjitet deri në 7,000 rpm.
Nga gara në kriminalistikë
Ky CLK GTR i përkiste Ryan Wedding, i akuzuar për drejtimin e një rrjeti shumëkombësh trafikimi kokaine me të ardhura të paligjshme që dyshohet të kapin shifrën 1 miliard dollarë në vit. Autoritetet amerikane e krahasojnë atë me figura si Escobar dhe El Chapo, ndërsa besohet se fshihet në Meksikë.
FBI ka shpallur një shpërblim rekord prej 15 milionë dollarësh për çdo informacion që çon në arrestimin e tij — thuajse mjaftueshëm për të blerë vetë supermakinën, nëse kjo del në ankand.
Çfarë pritet të ndodhë me supermakinën?
Ende nuk ka një vendim zyrtar. Më e mundshmja është që CLK GTR të dalë në ankand, një praktikë e zakonshme për asetet luksoze të sekuestruara. Por duke marrë parasysh raritetin e saj absolut dhe “biografinë” e errët që e shoqëron, vlera në treg pritet të rritet edhe më tej.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



