E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Florjan Binaj dhe sfida e fitimit të zemrës së votuesve në Tiranë
Lajme

Florjan Binaj dhe sfida e fitimit të zemrës së votuesve në Tiranë

Para se Berisha të shpallte se PD-ja dhe aleatët e saj do të mbështesnin kandidaturën e Florjan Binajt (i njohur gjerësisht si “Flori i Portokallisë”), mbizotëronte argumenti aritmetik i gjetjes së një kandidati që do të tërhiqte votat e pjesëmarrësve të 11 majit që nuk votuan për PS-në. Në fakt PS-ja mori vetëm 49% të votave të pjesëmarrësve në territorin e Bashkisë Tiranë (48.9% saktësisht) – pra argumenti aritmetik dukej bindës në pamje të parë.

Sfida e Florit, ndërthurja e aritmetikës së votave me kiminë

Por teksa Florjan Binaj u shpall kandidat nga PD-ja dhe aleatët e saj, Arlind Qori, Kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, shpalli kandidaturën e tij për kryebashkiak, në konkurencë të drejtpërdrejtë me Binajn në segmentin kundër pushtetit. Ndërsa Tom Doshi, kryetari i PSD-së nuk duket se ka gjasa ta përkrahë kandidaturën e Binajt. Këto dy parti morën mbi 6% të votave në territorin e Bashkisë Tiranë më 11 maj (shihni grafikun e mëposhtëm).

Pra argumenti aritmetik i votave bie qysh në fillim të garës elektorale të Binajt – nga 51% që nuk votuan për PS-në, mbi 6% nuk kanë gajsa të votojnë as për Florin…

Po si mund të jetë kimia politike ndër 45% të pjesëmarrësve tiranas të 11 majit që nuk votuan për “të majtën” (PS+ +PSD+“Lëvizja Bashkë”)?

Disa militantë të thekur të PD-së mund ta kenë të vështirë të mobilizohen për një kandidat të bërë të famshëm nga emisioni “Portokalli”, por mbështetja e fortë për të nga Berisha mund t’i bëjë që ta kapërdijnë këtë ngërç.

Më i vështirë është mobilizimi i votuesve të partive të tjera të vogla.

Ndër partitë e koalicionit PD-ASHM, PL-ja, PR-ja, PAA-ja dhe PDK-ja e kanë përkrahur publikisht kandidaturën e Binajt (PDIU-ja, jo), por mbetet të shihet se sa të mobilizuar do të jenë në terren ata që luftuan për votat e veta personale më 11 maj…

Ndër partitë opozitare jashtë koalicionit të PD-së, “Shqipëria Bëhet” e Lapajt, “Nisma” e Shabanit, “Mundësia” e Shehajt, dhe “Djathtas për Zhvillim” e Shehit-Alibeajt e kanë përkrahur publikisht kandidaturën e Binajt (Euroatlantikët e Bashës, jo), por mbetet të shihet se sa të mobilizuar do të jenë në terren ata që luftuan për votat e veta personale me 11 maj…

Me pak fjalë, Florjan Binaj duhet të ndërthurë artitmetikën e votave me kiminë politike të partive që e mbështesin, për të marrë më shumë se 100 mijë votat që mori Këlliçi më 2023. Sepse përballë ka një mur violet 160-mijë votësh…/Nga Eduard Zaloshjna

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.