Gati për duelin historik, Kristjan Prenga sfidon Anthony Joshuan
Një nga përballjet më të shumëpritura të këtij viti në boks zhvillohet mbrëmjen e sotme, ku boksieri shqiptar Kristjan Prenga do të ngjitet në ring përballë ish-kampionit të botës Anthony Joshua.
Gjithçka është gati në Jeddah Superdome, ku atmosfera është elektrizuese dhe pritshmëritë janë në kulm pas ditësh të tëra përgatitjesh dhe promovimi të këtij superdueli.
Për Prengën, kjo sfidë përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të karrierës. Boksieri shqiptar synon të japë maksimumin dhe të tentojë një surprizë të madhe përballë një kundërshtari me eksperiencë të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
Ai hyn në këtë duel me një rekord mbresëlënës prej 20 fitoresh dhe vetëm 1 humbjeje, ku të gjitha fitoret janë arritur me nokaut, një tregues i qartë i fuqisë së tij në ring dhe i potencialit për të tronditur çdo kundërshtar.
Në anën tjetër, Joshua mbetet një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, me përballje ndaj elitës së peshës së rëndë. Për britanikun, kjo ndeshje shihet edhe si një hap përgatitor për një duel të mundshëm ndaj bashkëkombësit të tij Tyson Fury.
Tifozët shqiptarë kanë kthyer sytë nga kjo përballje, duke mbështetur fuqishëm Prengën dhe duke shpresuar për një performancë të madhe që do të përfaqësojë denjësisht ngjyrat kuqezi. Pavarësisht nivelit të lartë të kundërshtarit, besimi për një rezultat pozitiv mbetet i fortë mes sportdashësve shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



