Genova “tragjedi e paralajmëruar” po infrastruktura shqiptare?
Në studiot e hapura të Rai-t po merren me rrënjë për të analizuar e informuar mbi tragjedinë e shembjes së urës Morandi në Genova.
E cilësojnë tragjedi të paralajmëruar, për shkak të alarmeve të dhëna në dhjetëvjeçarin e fundit, për problemet e sigurisë, që nuk kanë shkaktuar reagim të mjaftueshëm për të shmangur katastrofën, që nga rikonstruksioni, apo rrugët alternative deri në sigurimin e plotë të saj.
E cilësojnë absurde, që në vendin e një prej shkollave më të mira të inxhinierisë së ndërtimit, që ka lënë gjurmë në historinë botërore, të bjerë një urë në këtë formë.
E cilësojnë dështim total të strukturave, që duhej ta kishin siguruar me kohë. Dhe kërkohet përgjegjësia nga lart gjer në entet më të vogla. Duke kujtuar edhe korrupsionin në procedurat e tenderimeve në raste të shembjeve të tjera, pa pasoja kaq tragjike gjithsesi.
Ndërsa ankthi të mban mbërthyer tek viktimat, mes tyre fëmijë, të mbijetuarit, ata që janë mes jetës e vdekjes nën rrënoja, togfjalëshi, që të shkund është: “tragjedi e paralajmëruar”.
Sa paralajmërime të tilla ka në infrastrukturën tonë? E bëjmë dot një bilanc? Si një alarm nga tragjedia e fqinjit? Përpos faktit, se autostradat sa vijnë e bëhen më të rrezikshme edhe për arsye të tjera, a i bën syri tërr ndonjë enti përgjegjës, ndonjë drejtuesi a zyrtari? Sidomos kur e dimë sa korrupsion ka në tendera infrastrukture…
Pavarësisht fatit, që përndoqi keqaz projektet Morandi, ku një tjetër urë e projektuar prej tij, si ajo e Genova-s u shemb në Venezuelë dy vjet më parë.
Pavarësisht fatit të keq…pavarësisht…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



