Gjithologët e pavarur
Gent Strazimiri
Osman Gazepi, personazh i njohur i Tiranës së periudhës së monarkisë, mbahet mend si një njeri gazmor, i cili punonte në pallatin mbretëror, por askush nuk e di se ç’punë bënte atje zyrtarisht. Ajo që tregohet rëndom për të, është se Ahmet Zogu e kishte shumë për zemër, për shkak se e shijonte humorin e tij.
Fjala vjen, Osman Gazepi i hynte në zyrë me një uniformë të re ushtaraku madhor dhe e pyeste me çiltërsi: – Naltmadhni, a më rri mirë? – Po Osman – I përgjigjej Mbreti në pritje të shakasë së radhës. – Epo mirë pra, po e mbaj- ia priste Osmani, dhe dilte nëpër Tiranë me uniformën e re, të cilën e mbante derisa t’i pëlqente një tjetër. Këtë marrëdhënie humori midis Mbretit dhe Osman Gazepit, e shijonin edhe qytetarët e Tiranës, banorët e kryeqytetit më të ri të shtetit më të ri të Evropës, të cilët kurrë nuk patën ndonjë kundërshti sa herë shakaxhiu ndërronte gradat mbi supe apo dekoratat në gjoks.
I vetmi ndikim që kishte në jetën e tyre ky fakt ishte se shtohej një rast më shumë për të qeshur, pasi Osman Gazepi kurrë nuk tentoi t’u imponohej apo të përfitonte nga titujt që i caktonte vetes. Madje flitet se edhe komunistët, kur morën pushtetin mbajtën të njëjtin qëndrim, duke e dënuar formalisht vetëm me një burg të shkurtër si zogist. M’u kujtua historia e gaztorit mbretëror, teksa ndiqja një ditë të enjte debatet në pothuajse të gjitha televizionet e mundshme që transmetojnë nga Tirana.
Në çdo studio, sherroseshin me njërit-tjetrin dy “opinionistë”, tri “analistë” dhe një “politolog”, ose dy “analistë”, tri “opinionistë” dhe një “politolog”, ose dy “politologë”, dy “analistë” dhe dy “opinionistë”…. Janë të kudondodhur, kryesisht në oraret e pikut, të gatshëm të japin show-n e radhës, duke interpretuar me groteskun dhe histerinë që e kërkon zakoni. Pushojnë vetëm kur ka “spot publicitar” dhe fillojnë përsëri.Klithin, akuzojnë, fyejnë, japin përkufizime e vendime përfundimtare të pa apelueshme, madje dhe ultimatume, nisur nga e drejta që thjesht i njohin vetes si zotërues të shkencës së …. gjithologjisë. I gjen kryesisht në debatet politike, por nëse rastësisht nuk ka të tilla për momentin, nuk e bëjnë pushim.
Opinioni i tyre në këtë rast është i domosdoshëm në debatet sportive, artistike, bërthamore, hidro-energjitike etj., e natyrisht politike. Ata më të rëndësishmit i dallon kollaj, pasi si rregull kanë një portret që i karakterizon, fjala vjen, këmishë portokalli, pulovër jeshil, pantallona të kuqe, çorape të verdha, këpucë bojëqielli, flokët mundësisht të yndyrshme dhe të pakrehura, madje mirë është të kenë edhe syze, në mënyrë që të zërë vend keqkuptimi se edhe lexojnë shumë…
Nëse herë pas here, ngatërrojnë edhe ndonjë fjalë nga shqipja dhe flasin në anglisht apo frengjisht, zakonisht ndodh sepse libri i mendimtarit të fundit që po lexojnë, e që kurrë s’u kujtohet emri, është i shkruar në atë gjuhë. Pjesën tjetër, i gjen në variant më rural, me kostume mëngët e të cilëve u mbarojnë te gjysma e pëllëmbës së dorës, këmisha e kravata të rastësishme, këpucët si t’u qëllojnë (gjithsesi me majë dhe “lustrafin”), por pothuajse gjithnjë mbajnë çorape të bardha… Vështirësi me shqipen kanë edhe këta vazhdimisht, por jo për arsyen “elitare” të përmendur më sipër.
Këta thjesht ngatërrojnë të folurën e fshatit nga vijnë me shqipen letrare.Nga kjo ndoshta vjen edhe shtresëzimi, me sa duket i pranuar në heshtje mes tyre, në “opinionistë”, “analistë” dhe “politologë”. E caktojnë vetë se cili mban kë nga “gradat” e përmendura në fushën e ndritur të….”gjithologjisë”!Sherrosja e fundit të cilën po shfaqin “gjithologët” deri në histeri, ka lidhje me dënimin e zgjedhjeve të vetme të cilësuara si “të lira e të ndershme” nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, ato të 28 qershorit 2009. Pak a shumë ishin po këta që “gjithologonin” edhe në zgjedhjet e vitit ’97, kur votoi “kallashi i Zanit”; në ato lokale në vitin 2000, kur Tiranës iu imponua një njeri që pëlliste në mes të sheshit, e kur në Tiranë dhe Durrës rezultatin e nxori policia; në vitin 2001, kur tanket dolën në rrugë, kur mbi 1600 komisionerë e vëzhgues të opozitës u rrahën, torturuan e burgosën, e madje as kjo nuk u mjaftoi se zgjedhjet e filluara në qershor përfunduan në shtator dhe mandatet u ndanë siç donte Fehmi Abdiu e jo populli.
Të gjitha këto mund të komentoheshin fare mirë, pasi gjithçka ishte dhe vazhdon të jetë e filmuar nga opozita e atëhershme, madje u konsideruan prova të forta që kushtëzuan edhe raportet përfundimtare të vëzhguesve ndërkombëtarë. Duket se historia e këndshme e Osman Gazepit, gaztorit të mirë, pas 80 e kusur vitesh po na rikthehet si një shaka e hidhur, me protagonistë aspak hokatarë. Dikush i nis nëpër studio televizive pa dallim, pasi u ka thënë pa shaka “Po! Të rri mirë!”, duke i përzier me profesionistët seriozë të çdo fushe, sportit, kulturës, hidro-energjetikës, rendit dhe sigurisë e padyshim politikës, e ku në fund gjithologu i radhës cakton konkluzionin.
Por ajo që e bën krejt të pakapërdishme këtë shfaqe sharlatanizmi gjithologësh histerikë, është përzierja e tyre me profesionistët seriozë të gazetarisë, të cilët të përfshirë në një heshtje fajtore, reagojnë vetëm në kushtet e nevojës ekstreme në mënyrë shumë personale… nëse sulmohen. Secili prej këtyre të fundit ka detyrimin ndaj cilitdo qytetari që ka të drejtën, dhe tenton të ndjekë një opinion objektiv prej profesionistësh seriozë, që t’u thotë publikisht dhe me kurajo qytetare e profesionale:
“Jo! Nuk të rri aspak mire!”,
madje pa pritur pyetjen “Si më rri?”…(panorama2010)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


