Grabitjet bëjnë ‘kërdinë’ në Fier, mbi 20 raste në vetëm dy muaj
Numri i vjedhjeve në qytetin e Fierit ka pësuar një rritje të dukshme gjatë dy muajve të fundit, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike në zonë. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat vendore të policisë, janë regjistruar më shumë se 20 raste vjedhjeje, ndërsa gjashtë prej tyre lidhen me vjedhje të kryera përmes mashtrimit.
Kjo shifër konsiderohet e lartë në raport me numrin e popullsisë së qarkut dhe ka vënë në alarm komunitetin lokal. Rastet janë dokumentuar nga autoritetet dhe përfshijnë persona të grupmoshave të ndryshme, të cilët dyshohet se kanë vepruar individualisht ose në bashkëpunim.
Objekt i këtyre vjedhjeve kanë qenë kryesisht farmaci dhe biznese të ndryshme në qytet, të cilat janë shënjestruar për shkak të qarkullimit të parave ose mallrave me vlerë.
Sipas avokatit Ervis Goxhaj, një ndër faktorët kryesorë që nxisin individë të përfshihen në veprime të tilla penale lidhet me vështirësitë ekonomike dhe mungesën e punësimit. Ai thekson se një pjesë e autorëve rezultojnë edhe përdorues të lëndëve narkotike.
“Shumica e personave që kryejnë veprën penale të vjedhjes, e parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal, përballen me probleme ekonomike dhe janë të papunë. Një pjesë e tyre janë përdorues të lëndëve narkotike dhe, për shkak të varësisë, shtyhen të kryejnë këto vepra për të siguruar të ardhura. Në rastet kur përdoret dhunë ose sende të forta, ligji parashikon dënime më të ashpra”, shprehet avokati Goxhaj.
Përveç rasteve të zakonshme të vjedhjes, autoritetet kanë identifikuar edhe gjashtë raste të vjedhjes përmes mashtrimit. Në këto situata, autorët përdorin metoda më të sofistikuara për të përfituar para, duke u premtuar viktimave kryerjen e veprimeve juridike apo shërbimeve që në të vërtetë nuk realizohen.
Një tjetër element shqetësues është fakti se në disa raste autorët dyshohet të kenë qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike në momentin e kryerjes së veprës penale. Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për përdorim dhune dhe përbën një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve që mund të bien pre e grabitjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



