E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Guvernatori  Sejko:Rimëkëmbja ekonomike vijon të mos jetë e plotë
Publik News

Guvernatori Sejko:Rimëkëmbja ekonomike vijon të mos jetë e plotë

“Pasojat e pandemisë në ekonomi mbeten të dukshme, në nivelet ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë. Po ashtu, inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3%”, vuri në dukje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dje pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës.

ECURIA

Guvernatori Sejko

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Sejko tha se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, vëllimi ekonomik në vend u rrit me 3 për qind. “Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve dhe u pasqyrua në përmirësimin e aktiviteteve prodhuese dhe atyre të shërbimeve. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë të vitit aktual janë vetëm indirekte, por ato sinjalizojnë vijimin e gjallërimit të ekonomisë, sikundër ilustrohet nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, i llogarive fiskale dhe i flukseve tregtare”. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën tjetër të vitit 2020, ku ekonomia u tkurr me 3.3 për qind, ndërsa u shkurtuan jo pak por 43 mijë vende pune. “Edhe pse në rritje, kërkesa agregate mbetet ende poshtë niveleve të regjistruara në periudhën përpara pandemisë dhe e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë faktorët e prodhimit. Për rrjedhojë, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Po ashtu, ritmi i rritjes së pagave dhe kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim”, shtoi guvernatori Sejko.

MASAT

Një rol me rëndësi kanë luajtur edhe masat e ndërmarra, si lehtësirat e krijuara në shlyerjen e kësteve të kredisë, duke iu dhënë disa muaj kohë familjeve dhe bizneseve për kryerjen e pagesave. “Stimujt monetarë e financiarë kanë pasur një transmetim të mirë. Për rrjedhojë, kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten akomoduese. Tregjet financiare operojnë të qeta dhe normat e interesit vijojnë të jenë pranë minimumeve historike, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra. Po ashtu, kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Në veçanti, sektori bankar ka vijuar të financojë bizneset dhe familjet, duke pasqyruar si shëndetin e bilanceve të sektorit bankar, ashtu dhe reagimin e duhur të tij ndaj goditjes”. Në muajin mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009. Kredia për sektorin privat, sipas Bankës së Shqipërisë, njohu një rritje mesatare vjetore prej 7.5% në tremujorin e parë. Kjo rritje shfaqi një bazë të gjerë, e nxitur nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve.

Ekonomia humbi rreth 43 mijë vende pune!

PROJEKSIONET

Edhe më pozitivë paraqiten skenarët e rimëkëmbjes. Vijimi i procesit të vaksinimit, stimuli monetar dhe fiskal, si edhe rikthimi i besimit do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik përgjatë këtij viti. “Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim. Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022″, theksoi Sejko.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.