Ilir Meta i ka provuar të gjitha…
Hysni Gurra
Ilir Meta mbushi sot 57 vjeç. Ditëlindje që e gjeti në qelitë e burgut 313 në Tiranë. Ka shumë njerëz që mendojnë se e meriton të jetë atje, po ashtu siç ka edhe nga ata që mendojnë se nuk e meritonte një trajtim të tillë.
E njoh Ilir Metën, kam folur shpesh me të që nga viti i fundit në Presidencë e këtej, por nuk them që e kam mik vetëm pse kam pasur komunikim, sigurisht të rregullt dhe pa asnjë interes. Partinë e tij e kam votuar vetëm një herë; unë nuk jam votues i verbër që votoj përherë sepse kështu kanë votuar të parët. E quaj fyerje të votoj si idiot.
Metën e kam votuar në zgjedhjet e vitit 2009, pasi vlerësova qëndrimin që mbajti për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Ishin ndryshime të padrejta, nuk kishin për qëllim rregullimin e ngërçeve parlamentare, por synonin të ‘vrisnin’ Ilir Metën dhe, në këtë mënyrë, partitë e tjera.
Gjithë palaçot që kanë sot nga një parti dhe shajnë Metën duhet të dinë që ai e ka bërë betejën e tij aty ku duhej dhe atëherë kur duhej.
Që të mos keqkuptohet ky shënim, unë nuk marr përsipër të them nëse është apo jo i korruptuar Ilir Meta. Këtë gjë nuk e di dhe nuk mund të flas që t’i bëj qejfin njërës apo tjetrës palë.
Por një gjë e di shumë mirë: Ilir Meta nuk është sot në burg sepse drejtësia e re po lufton korrupsionin; ai është aty si hakmarrje e Edi Ramës për gjithë historinë e tyre politike të përbashkët.
Megjithëse Edi Rama është aty ku është sot edhe falë Ilir Metës — qoftë nga neglizhenca, mirëbesimi apo naiviteti i këtij të fundit — ai mbetet një nga arsyet pse Rama sundon Shqipërinë prej 13 vitesh.
Por, pavarësisht kësaj, Edi Rama është ndier përherë inferior ndaj Metës, sepse ka qenë inferior ndaj tij në të gjitha kuptimet, si nga ana karakteriale, ashtu edhe profesionale. Dhe këtë nuk ia fali; u hakmor në mënyrën më ekstreme të mundshme.
Gjithë jetën ka investuar për ta portretizuar Metën si njeri të korruptuar, problematik etj., dhe deri diku ia ka dalë që kjo të “ngjisë”, duke pasur në dorë fuqi të madhe parash dhe mediash.
Por Edi Rama nuk mund ta zhbëjë dot, as nuk mund ta blejë të shkuarën, me gjithë paratë dhe pushtetin që ka në dispozicion.
Për shembull, ai nuk blen dot faktin që edhe sot, socialistët thonë se Meta ishte burrë i fjalës, ndërsa Rama është i pabesë; që Rama është shok për kokë me çdo rrugaç e kriminel të mundshëm, ndërsa Meta jo; që Meta ishte shtetar me pushtet dhe Rama është bandit me pushtet.
Sigurisht që Ilir Meta ka përgjegjësi për koalicionet me të në 2013, për pranimin e postit të kryeparlamentarit dhe Presidentit nga ky, ndoshta këtë edhe po paguan sot. Por që këta të dy janë vite dritë larg njëri-tjetrit, kjo s’do as mend, as kalem.
Ilir Meta i ka provuar të gjitha si rrallëkush tjetër në skenën politike shqiptare:
– Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
– Nënkryetar i Forumit të Rinisë Eurosocialiste
– Kryetar i Forumit të Rinisë Eurosocialiste
– Nënkryetar i Partisë Socialiste
– Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste
– Kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën
– Sekretar Shteti për Integrimin Evropian
– Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Integrimit
– Kryeministër i Shqipërisë
– Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme
– Themelues i Lëvizjes Socialiste për Integrim
– Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim
– Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
– Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
– President i Republikës së Shqipërisë
– I burgosur
Dhe në vend të një urimi për Metën, po e mbyll me një tjetër paralelizim: Gjithë bashkëpunëtorët e Ilir Metës që kanë përfituar pushtet dhe janë pasuruar nga mundësitë që u ka dhënë ai, janë duke i shijuar ato në shtëpi e tyre apo edhe i kanë hyrë në gji Ramës, ndërsa ai që ua krijoi ato mundësi është në burg.
Ndërsa gjithë bashkëpunëtorët e Edi Ramës që kanë përfituar prej tij janë sot në burg dhe ai në është shtëpi duke shijuar pasurimin prej firmave që kanë hedhur ata për të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



