Jeb Bush e quan ‘shumë politike’, aktakuzën e jurisë së madhe ndaj Donald Trump
Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, tha të shtunën se vendimi i një jurie të madhe në Manhattan për të paditur ish-presidentin Donald Trump gjatë garës së tij të 3-të për Shtëpinë e Bardhë është ‘shumë politike’ dhe ‘jo një çështje e drejtësie’.
Bush, i cili sfidoi Trumpin për nominimin presidencial të republikanëve në vitin 2016, vuri në dukje me një postim në Twitter se, Trump ishte paditur për rastin me të cilin prokurorët e tjerë refuzuan të hetonin më tej, përpara se zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg, vendosi ta ringjallte këtë hetim kohët e fundit.
‘Paraardhësi i Bragg nuk e mori çështjen. Departamenti i Drejtësisë nuk e mori çështjen. Bragg fillimisht tha se nuk do ta merrte çështjen.
Kjo është shumë politike, jo çështje drejtësie,’ shkruan në një postim në Tëitter, djali i dytë i ish-presidentit George H.W. Bush.
‘Në këtë rast, le të jetë juria një votues’, shtoi ai.

Akuzat e sakta të dosjes janë ende të vulosura, por avokati i Trump, Joe Tacopina tha të enjten në mbrëmje, se ish-presidenti mund të përballet me më shumë se 30 akuza javën e ardhshme, kur të dalë në gjyq.
Bragg ka hetuar Trump për pagesat e parave të heshtura të bëra përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Këto përfshijnë pagesën prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, dhe pagesën prej 150,000 dollarësh për ish-modelen e Playboy, Karen McDougal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



