E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ju flet  Radio Tirana,  80 vjet histori, nga fjalimi i Zogut në ndërrimin e sistemeve
Lajme

Ju flet Radio Tirana, 80 vjet histori, nga fjalimi i Zogut në ndërrimin e sistemeve

Në orën 11:00, Mbreti pret shiritin kuq e zi dhe drejtohet për nga kabina ku është vendosur mikrofoni…

Ish-tekniku  i Radios, Bedri Mara

Duke iu drejtuar gjithë racës shqiptare, Mbreti Agmet Zogu thotë: “… E quaj të tepërt për me theksue randësinë që ky përmban për zhvillimin e kulturës dhe vllaznimin e racës shqiptare. Me këta rast dëshiroj me ju drejtue një porosi, kudo që të jeni: I shtrini dorën vllaznisht njani-tjetrit, tue ju kushtue me një vullnet të papremun punës e përparimit, se s’mjafton fitimi i pavarësisë së atdheut, por na duhet me u përpjekë për vllaznimin e shqiptarëve dhe konsolidimin dhe lulëzimin e lirisë”. Ishte 28 nëntor i vitit 1938, kur Mbreti Zog, përmes një fjalimi në ambientet e radios, e konsideroi zyrtar aktivitetin e “Radio Tiranës”, duke shënuar kështu edhe datën e lindjes së këtij institucioni, që sot feston 80-vjetorin e tij. Siç e kërkon zakoni, nuk do të mungojë një ceremoni, as homazhet e mirënjohjet, por nuk do të mungojë as nostalgjia, e sjellë përmes një dokumentari, që shfaqet sot në orën 18:30, në Muzeun Historik Kombëtar. Do të duheshin 80 vjet për t’i thënë të gjitha, e megjithatë Sektori i Rivitalizimit të Arkivës në RTSH, ia doli të na sjellë atë atmosferë që vetëm valët e radios mund të krijojnë: “Radio Tirana”. Regjisori dhe skenaristi Redi Mazi, bashkë me stafin, na japin mundësi të shijojmë sot, 80 vjet në 47 minuta.

 

thimi collaku

DOKUMENTARI

“Dokumentari ‘Radio Tirana’ ishte një nismë e iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, me rastin e 80- vjetorit të ‘Radio Tiranës’ dhe prodhimi i dokumentarit iu la si detyrë Sektorit të Rivitalizimit të Arkivës në RTSH, sektor i cili merret me prodhimin e dokumentarit. Shefi i këtij sektori, regjisori Pluton Vasi, më zgjodhi mua për të realizuar këtë dokumentar. Megjithëse ishte një kohë e shkurtër, rreth 2-mujore, në të cilën dokumentari duhet të ishte gati, pra, duhej bërë kërkimi mbi temën, duhej menduar skenari, duheshin gjetur personazhet, materiale arkivore dhe filmimet aktuale… me një përkushtim nga i gjithë stafi realizues u bë e mundur që dokumentari të përfundonte në një kohë rekord”, tregon regjisori Mazi, duke na zbuluar kështu edhe disa nga prapaskenat e këtij filmi. Regjisori nuk parapëlqen një narrator, ai ua lë vetë protagonistëve, vetë radios të flasë mbi historinë e saj, “Duke dashur të dal pak nga kuadri i dokumentarit standard me një narrator në qendër, preferova të vë të 12 të intervistuarit narratorë të dokumentarit dhe duke qepur çdo fjalë të tyre në harmoni me njëri-tjetrin, gjë që të krijon vështirësi në montazh, sidomos kur kohën nuk e ke në favor… Kjo lloj forme i jep më dinamikë filmit dhe gjithashtu i jep më mundësi spektatorit që të përjetojnë historinë direkt nga goja e personazheve në fjalë, që i kanë jetuar vetë situatat dhe historitë që rrëfejnë”, shton regjisori, teksa ndan vështirësinë për të përzgjedhur mes pafundësisë së materialeve arkivore, mes rrëfimeve interesante të 12 personazheve, por edhe zgjedhjes mes pafundësive të mënyrave për të treguar një histori, e cila nuk është vetëm e një institucioni, por nga pak e të gjithë shqiptarëve. “Mendoj se produkti final është një esencë e mirë e të gjithë tregimit nga dëshmitarët dhe arkivës dhe shpresoj që publiku, duke u argëtuar, pasi në film ka pak nga të gjitha, të krijojë dhe një imazh të së kaluarës historike të këtij institucioni dhe punës së madhe të qindra mijëra punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të ‘Radio Tiranës’ që kanë dhënë më të mirën e tyre ndër vite”, thotë Mazi.

Aktorët shqiptarë, Pavlina Mani, Sandër Prosi

NJË HISTORI 80-VJEÇARE

Dokumentari është i mbushur me zëra, ka shumë jetë. Përmes “trukesh” regjisoriale kalojnë para syve tanë imazhe të një Tirane që nuk ekziston më, personazhe të dashur, ikona të Radios. Regjisori është kujdesur të na thotë shumëçka në pak minuta, ndërsa nga ai katror qielli që duket nga oborri i brendshëm i RTSH-së, duket sikur na përshkojnë tej e tej valët e Radio Tiranës. Përmes zërave të teknikut 96-vjeçar Bedri Mara, i cili nisi punën në Radio që në vitet ‘46-47, Thimi Çollakut, Ahmet Shqarrit, Ruzhdi Pulahës, Xhelil Aliut, Agim Xhekës, Irfan Mandisë, Zamira Kolecit, Kaliopi Bicit, Ermenita Stafës, Alma Sulës e Andri Xhahut vjen “Radio Tirana”, që në vitet e para të saj deri në ditët tona. Ndonëse datëlindja zyrtare është pikërisht 28 nëntori i vitit 1938, Thimi Çollaku tregon se, “në vitet ’21-’22 filloi ndërtimi i radiostacionit të Laprakës. Ishin italianët që e morën përsipër ta ndërtonin dhe në ’24- ën ishte gati. U bënë provat e nevojshme… Madje, edhe ceremonia e inaugurimit është bërë në Laprakë”. Përurimi nga Mbreti Zog i dha asaj pamjen e një institucioni, ndonëse kushtet ishin të vështira. Me pushtimin fashist, nga një zyrë e vetme në ambientet e ndërtesës së bashkisë, që u shemb për ndërtimin e Muzeut Historik Kombëtar, “Radio Tirana” u zhvendos në “Rrugën e Kavajës”, në hyrje të Rrugës “Kont Urani”. Të paktët zëra që na vijnë prej asaj kohe tregojnë për kushtet e vështira. “Pajisjet kanë qenë si pajisje lufte. U gjet një pjesë aparature gjermane, ajo ishte pjesë e një magnetofoni që vihej në tanks.

radio

Gjetëm ca shirita të papërdorur fare në një ndërmarrje, e provoi inxhinieri dhe funksiononte. Kështu u bëmë me magnetofon”, tregon Bedri Mara, i cili teksa qëndron i ulur poshtë një limoni, në oborrin e shtëpisë, bën çudi me guximin e marrë të asaj kohe.. “Çudi që me ato pulte kemi bërë kongrese.. marrëzi, ose festival…”, thotë ai, teksa e quan një sihariq të madh kalimin në ambientet e reja. Ishte atëherë kur radioja do të bëhej edhe më tepër popullore. Programacioni u bë i larmishëm dhe disa rubrika ende sot kujtohen me nostalgji, pavarësisht dozës ideologjike dhe censurës. “’Punëtorët e politikës’ kalonin gjithçka në shoshë”, tregon dramaturgu Ruzhdi Pulaha. “Teatri i fëmijëve në mikrofon”, “Radio Përralla”, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “30 minuta me humor dhe muzikë”, “Portrete artistësh”, “Teatri në mikrofon”, “Fjala artistike”, “Ora e mjekut” nga Hamdi Sulçebej apo më të kërkuarat: “Ora gazmore”, “Radio Posta” apo “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, ishin disa nga rubrikat që emetonin valët e Radio Tiranës, por jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë, atje ku shkonin edhe vetë reporterët e radios. “Jeta e gjithë Shqipërisë vinte në mikrofonin e Radio Tiranës”, thotë Agim Xheka, i cili shkeli në shkallët e këtij institucioni kur ishte ende fëmijë. Por ‘Radio Tirana’ ishte edhe bashkatdhetarëve, por i drejtohej edhe një dëgjuesi të huaj. Ajo transmetohej në 22 gjuhë të huaja. Kohët rrodhën, sistemet ndryshuan, shumë nga spikerët, punëtorët, aktorët e radiodramatizimeve, nuk jetojnë më, por ‘Radio Tirana’ është aty, duke u përcjellë nga një tjetër brez profesionistësh, duke ruajtur në fondin e saj të jashtëzakonshëm, zërin e Nënë Terezës, Fan Nolit, Tefta Tashkos, Marije Krajës, Vaçe Zelës, Gaqo Çakos…, sepse “The show must go on”…p

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.