Kanye West: Autogol për turizmin!
Eksperti i turizmit: Koncerti i Kanye West u shoqërua me abuzime, hotelet shumëfishuan çmimet
Koncerti i Kanye West në Tiranë u shndërrua në një mundësi për të promovuar Shqipërinë, por sipas ekspertit të turizmit Isa Krasniqi, ai u shoqërua edhe me abuzime të mëdha në tregun e akomodimit, duke dëmtuar imazhin e vendit.
Në një intervistë, Krasniqi deklaroi se evente të tilla janë të rëndësishme për turizmin shqiptar, pasi tërheqin mijëra vizitorë të huaj, por theksoi se mënyra se si u menaxhuan çmimet e hoteleve në Tiranë ishte një “autogol” për sektorin.
Sipas tij, rreth 25 mijë të huaj vizituan Shqipërinë për koncertin, por shumë prej tyre mbetën të pakënaqur për shkak të tarifave të larta të akomodimit.
“Festivale të tilla i duhen vendit, por hotelet në Tiranë abuzuan me çmimet. Ka pasur raste kur një hotel me tre yje kërkonte deri në 3 500 euro. U bllokua i gjithë sistemi i akomodimit dhe pati shumë ankesa. Nuk abuzoi Durrësi, por Tirana,” u shpreh Krasniqi.
Eksperti vlerësoi se koncerti në vetvete nuk ishte një dështim, por kritikoi mungesën e kontrollit dhe të mbrojtjes së konsumatorit nga institucionet shtetërore.
Sipas tij, në disa raste çmimet e hoteleve u rritën deri në dhjetëfish, duke krijuar një përvojë negative për vizitorët e huaj dhe duke dëmtuar reputacionin turistik të Shqipërisë.
“Nuk mjafton të organizojmë një koncert të madh. Rëndësi ka çfarë përfiton Shqipëria nga ai event. Nëse nuk mbrojmë konsumatorin dhe lejojmë abuzime të tilla, humbësi më i madh do të jetë turizmi shqiptar,” deklaroi Isa Krasniqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



