Karteli i oksigjenit në shëndetësinë shqiptare
Si një rrjet tenderash me vlerë dhjetëra milionë euro po hetohet nga SPAK
Një skemë që nis në QSUT
Në kulmin e pandemisë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) nisi procedura emergjente për furnizim me oksigjen mjekësor. Dokumentet zyrtare tregojnë se:
Në fund të 2020-ës u hap një Marrëveshje Kuadër për furnizim oksigjeni, e pasuar nga një “negocim pa shpallje paraprake” në shkurt 2021 për 47 ditë;
- i vetmi ofertues ishte “GTS – Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”, me ofertë gati identike me fondin limit. Procedura u anulua sapo u nënshkrua Marrëveshja Kuadër, për t’u zëvendësuar nga minikontrata brenda saj.
Media shqiptare raportoi se në shkurt 2021 u shpall fituese oferta prej mbi 9 miliardë lekësh të vjetra (~900 milionë lekë), sërish me GTS si fitues, ndërkohë që një ofertë më e ulët u skualifikua për arsye formale. Ky model – ofertë sa fondi limit, mungesë konkurrence dhe skualifikim teknik i ofertave më të lira – është “flamuri i kuq” klasik i abuzimeve në prokurime.
Nga QSUT në gjithë sistemin
Sipas të dhënave të Open Data Albania dhe raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga viti 2020 deri sot, oksigjeni përfaqëson rreth 19% të gjithë buxhetit të prokurimeve në shëndetësi një peshë e jashtëzakonshme për një artikull të vetëm furnizimi. Gjatë këtyre viteve, GTS dhe në disa raste bashkimi me kompaninë Messer Albagaz kanë fituar qindra kontrata në spitalet rajonale të vendit, shpesh me të njëjtën skemë: negocim emergjent dhe ofertë pranë fondit limit.
Lidhje mafioze dhe korrupsion të lartë
Raportime të shumta mediatike e kanë lidhur Besnik Halilin përfaqësues i GTS me grupime mafioze italiane të tipit ‘Ndrangheta. Pretendohet se përmes rrjetit të tij në Itali dhe Ballkan janë siguruar tendera të paracaktuar në Shqipëri, ndërsa SPAK ka hapur procedimin penal nr.17, datë 25.01.2021 për skemën e furnizimeve me oksigjen.
Gazetarja Anila Hoxha deklaroi në “Top Story” (shtator 2025) se SPAK ka sekuestruar 978 telefona dhe 30 kompjuterë dhe ka thirrur 11 zyrtarë të njësive të prokurimeve, duke hetuar tenderat e oksigjenit mjekësor. Këto të dhëna nuk janë ende të konfirmuara nga dokumente publike të SPAK-ut, por përforcojnë perceptimin e një hetimi të gjerë.
Drejtorë dhe zyrtarë nën akuzë publike
Në disa spitale rajonale, sipas raportimeve investigative, një sërë drejtorësh kanë firmosur kontrata për GTS ose bashkimin GTS–Messer. Emra si Ani Dyrmishi (Spitali Durrës), Edlira Bode (Spitali i Traumës), Rudina Degjoni (Memorial Fier), Nevila Shuke, Joana Duro (ish-sekretare e përgjithshme e MSH e arrestuar për korrupsion në një rast tjetër), Enkel Joti (ish-drejtor i QSUT), Skënder Gjoni (Shefqet Ndroqi), Perin Vogli (Spitali Fier), Leon Kaza (Spitali Lezhë), Desantila Tahiraj (ish-drejtore Elbasan, sot deputete) e Sokol Feruni (Spitali Gjirokastër) shfaqen në këto raportime si firmëtarë tenderash të dyshimtë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, vëmendja bie mbi ish-sekretaren e përgjithshme Geraldina Prodani, e përshkruar nga disa media si “dora e zezë” e tenderave; sipas të njëjtave burime, ajo dyshohet se ka kanalizuar miliona euro drejt kompanive të kartelit.
Shifra mbi 50 milionë euro tendera korruptivë
Vetëm në katër vitet e fundit, sipas raportimeve, janë kaluar mbi 50 milionë euro drejt GTS dhe partnerëve të saj përmes rreth 200 tenderave, duke përfshirë rreth 3 600 transaksione financiare. Nga këta, 64 tendera me vlerë 22 milionë euro janë fituar në bashkëpunim me “Messer Albagaz”. SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle dhe sekuestrime te disa prej personave kyç në kompanitë e përfshira.
Sipas një raporti të KLSH-së, drejtori Spitalit të Gjirokastrës Sokol Feruni, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka sabotuar edhe shërbimin e dializës në sektorin publik.
Fatura e kësaj skeme me kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, vetëm gjatë 4 vitet e fundit, është 50 milionë euro, përmes 200 tenderave të dyshuar korruptivë.

Rezultojnë mbi 3 600 transaksione financiare nga sektori i shëndetësisë, duke kaluar dhjetëra milionë euro në llogaritë e kompanisë së Nikut të Ndreaghet’a.

Nga rreth 200 tendera që ka përlarë kompania “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, 64 tendera me vlerë 22 milionë euro i ka ‘fituar’ në bashkëpunim me kompaninë serbe Messer Albagaz me pronar në letra gjermanin Stefan Alexander Messer, drejt të cilës Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj kanë kryer rreth 3 mijë transaksione gjatë 4 viteve të fundit.

Nëse GTS konsiderohet si e mafies italiane Ndragheta, fijet e Messer Albagas në Shqipëri dyshohet se i luan Ardian Strazimiri, përmes Ela Strazimirit, ndonëse në letra pronar i kompanisë rezulton gjermani Stefan Alexander Messer, ndërsa administrator është rusi
Vladimir Vladimirov.
Në kuadër të procedimit penal nr.17, i datës 25.01.2021, me prokuror të çështjes Sotir Kllapi dhe që ka agazhuar rreth 20 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në maj të këtij viti janë ushtruar kontrolle dhe janë kryer sekuestrime pikërisht tek një Ardian Strazimiri, një personazh i nëntokës së skemave të mashtrimit dhe pastrimit të parave, administrator dhe bashkëaksioner i kompanisë “Sofigaz”, por që dyshohet ka lidhje edhe me kompaninë Messer Albagas, që po hetojet për korrupsion dhe pastrim parash.

BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.
Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila siç e thamë më lart në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.
Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri.
Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.
Messer Albagas dhe G.T.S, pjesë e të njëjtit kartel, kanë marrë në formë bashkimi mbi 22 milionë euro tendera për oksigjen nga Ministria e Shëndetësisë, me pazar në tavolinë, me oferta gati sa fondi limit, duke korruptuar zyrtarë të ministrisë.
Bëhet fjalë për një organizatë mafioze, fijet të cilës shtrihen nga Tirana, mafia milaneze, Gjirokastra, Serbi, Maqedoni, Janinë, Athinë dhe Gjermani.
Nëse BKH do të thellohet në lëvizjet e parave të kompanive Messer Albagas, G.T.S dhe Sofigaz, në skenën e pastrimit të parave dhe faturimeve fiktive do të dalë edhe kompania AP OIL, me nipt L73318601G, themeluar në 2017, me zyra qëndrore në Gjirokastër, me administrator dhe bashkëpronar Albert Kaçi, një mjeshtër i kamufluar kaburantesh dhe ‘ujk i vjetër’ i skemave të mashtrimit me TVSH.

Bashkëpronari tjetër është Piro Bare, i skeduar nga organet hetimore për kontrabandë masive nafte dhe thyerjen e embargos ndaj Rusisë, por që i ka shpëtuar deri më sot ndëshkimit ligjor.
Në bazë të indicieve dhe disa dokumenteve, hetuesit e BKH të hetojnë transaksionet mes kompanisë Messer Albagas, pjesë e kartelit, dhe kompanisë AP OIL të Albert Kaçit, sidomos nga viti 2019 deri në vitin 2024.
Rreziku për shëndetin publik dhe financat
Monopol i de facto: një ose dy operatorë furnizojnë oksigjen për gjithë rrjetin spitalor; kjo krijon varësi kritike dhe hap rrugë për abuzim çmimesh.
Mungesë gare: tendera me një ofertues të vetëm ose me skualifikim të ofertave më të ulëta.Kosto të fryra: media dhe ekspertë pretendojnë se oksigjeni është blerë 3–4 herë më shtrenjtë se në vendet fqinje.
SPAK nuk ka shpallur ende akuzë formale për tenderat e oksigjenit, por procedimi penal dhe sekuestrimet e raportuara tregojnë se hetimi është i hapur. Për të mbyllur “rrethin” e fakteve, kërkohet:
Publikimi i plotë i kontratave dhe minikontratave,Raportet e komisioneve të vlerësimit të ofertave,
Rezultatet e auditit të KLSH dhe
Një komunikim zyrtar nga SPAK mbi statusin e hetimit.
Nga QSUT e deri te spitalet rajonale, rrjeti i furnizimit me oksigjen është shndërruar në një nyje të madhe interesash politike, financiare dhe sipas mediave mafioze. Hetimi i SPAK pritet të vërë në provë aftësinë e institucioneve shqiptare për të çmontuar një skemë të dyshuar korrupsioni që ka kushtuar buxhetit publik dhjetëra milionë euro dhe që ka vënë në rrezik vetë shëndetin publik në periudhën më kritike, pandeminë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



