E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kasëm Trebeshina na përbuz edhe pas vdekjes /FATOS LUBONJA
Sot

Kasëm Trebeshina na përbuz edhe pas vdekjes /FATOS LUBONJA

Kasëm Trebeshina (b. 1926), Albanian writer

Kasëm Trebeshina i përket asaj kategorie intelektualësh – të pakët fatkeqësisht në botën shqiptare, – që, kur kuptoi natyrën e regjimit për të cilin kishte luftuar, u tërhoq dhe iu kundërvu atij. I kishte të gjitha mundësitë të bënte atë që bëri shumica: të konformohej duke u vënë në shërbim të atij regjimi. Por një cilësi e karakterit dhe pasioni për letërsinë e vërtetë nuk e la ta bënte këtë zgjedhje. Ndoqi zërin e ndërgjegjes së tij, vazhdoi të shikojë yjet edhe pse i detyruar të jetojë në batak, me pasojat që dihen: burgun e gjatë dhe izolimin nga shoqëria.

Si i tillë, pas viteve ’90, ai do të duhej të kishte qenë ndër njerëzit e respektuar më së shumti, sepse, siç e thashë, këta janë të rrallë – dhe për të tillë njerëz ka aq shumë nevojë çdo shoqëri, por më së shumti shoqëria shqiptare. Por kjo nuk ndodhi pasi kultura jonë mbizotëruese solli edhe një herë në pushtet ata njerëz që nuk kishin bërë zgjedhjen e Kasëmit në kohën e diktaturës, por zgjedhjen e vënies në shërbim për përfitime dhe karrierë.

Figura e tij shqetësonte shumë ndërgjegje të asaj elite; ishte një pasqyrë që konvenonte më mirë të thyhej. Ja pse Kasëmi u izolua dhe u vetizolua, edhe njëherë, duke vazhduar të ndjekë zërin e ndërgjegjes së tij e të shikojë yjet larg nga bataku. Mund të kritikohet se përse nuk luftoi? Ndoshta. Por edhe me tërheqjen e tij nga shëmtimi i ri që po ndërtojmë flet shumë për ata që duan të shikojnë e të dëgjojnë.

Kujtimi i tij duhet të ruhet si model, nëse duam të sfidojmë atë kulturë mbizotëruese tek ne, që na bën të respektojmë mujsharin dhe jo të diturin, hileqarin dhe jo të ndershmin, servilin dhe jo krenarin, gënjeshtarin dhe jo të sinqertin. Po qe se ia arrijmë atëhere ky kujtim do të rritet me kohën. Po qe se vazhdojmë të mbetemi në batak Kasëmi do të vazhdojë të na përbuzë nga lartësia e yjeve ku e ngriti vendosmëria për të mos e shkitur shikimin prej tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.