KKT miraton lejen për ‘përbindëshin’ 58 kate dhe 205 metra të lartë

Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë leje për ndërtimin e një tjetër kulle në Tiranë. Bëhet fjalë për projektin e famshëm “Mount of Tirana” që do të ndërtohet në rrugën e “Barrikadave”.

Duke qenë se kullat dhe gradaçelat na bllokojnë pamjen ndaj maleve natyrale, Veliaj po na krijon male të tilla me beton.

Kështu, KKT ka firmosur lejen për ndërtimin e kullës ‘Mount of Tirana” me vlerë 100 milionë euro.

Vendimi i KKT tregon se kjo kullë do të ndërtohet nga kompania ‘Nova Construction 2012’, në pronësi të Ilir dhe Kujtim Shtufit.

Ilir Shtufi njihet si ortak dhe bashkëpunëtor i ngushtë i një prej bosëve shqiptar të kokainës në Spanjë, i njohur edhe si ‘El Chapo’.

Ilir Shtufi është gjithashtu kunati i Mark Lulit, biznesmen ndërtimi në Tiranë me të shkuar të zezë në Itali, i lakuar për pastrim parash me kompanitë M. C. INERTE, Ferro Beton & Construction Co, ‘Luli shpk’, “Dushku S. A”, M.C INERTE LUMZI, M.C. ENERGJI GOJAN.

Sakaq, më tutje në dokumente tregohet se kjo kullë do të jetë 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë. Projekti është hartuar nga studio daneze e arkitekturës Cebra.

Në projektin fillestar u prezantua s kulla do të ishte 185 metra e lartë, por varianti përfundimtar i saj është rritur në 205 metër lartësi. Mount Tirana bëhet kështu ndërtesa më e lartë në Shqipëri e miratuar deri më tani.

Ndërkohë, “Nova Construction 2012” është përfituese e shumë tenderash nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me kompani të tjera. Ajo ka ndërtuar edhe godina të tjera shumëkatëshe në Tiranë, përfshirë këtu “White Tower”, “Tirana Garden Building” dhe “Tirana Entry II”.

Publikuar nga Publik Media