Koreografja shqiptare Neli Syupyur, nga Ukraina në Tiranë
Vjen nga shqiptarët e hershëm të Ukrainës. Neli Syupyur është rreth të 40-tave dhe ka lindur në Karakurt, atje ku u vendosën së fundmi të parët e saj, që ishin shpërngulur nga Arbëria, zona e Korçës, për të shkuar në Bullgari e më pas në Ukrainë.
Ndihet shqiptare dhe nuk e ka mohuar asnjëherë këtë fakt që nga momenti kur e mësoi. Valltaren dhe koreografen e famshme të Ansamblit Shtetëror të Ukrainës e nderon origjina e saj.

Disa njerëzve mbiemri i saj u vjen “i çuditshëm”, ndaj dhe shpesh e pyesin në është turke apo franceze, por Neli i lë pa fjalë kur u thotë se është me origjinë shqiptare.
Ajo sqaron se Syupyur (Syu-pyur) do të thotë syri i pastër, i bukur, shpjeguar sipas saj me arbërishten e vjetër.
Edhe pse koha ka bërë të vetën ajo dhe komuniteti shqiptar në Ukrainë kanë mbajtur fort gjuhën e vjetër shqipe dhe traditat që i kanë lënë edhe trashëgimi, si gjënë më të çmuar, brez pas brezi.

Në një intervistë për Shoqeriacivile.com Neli Syupyur shpjegon se si e bëri realitet ëndrrën e saj të fëmijërisë, falë ndihmës së ambasadores Shpresa Kureta, ardhjen në vendin e të parëve.
Neli është në kërkim të të afërmve në Korçë, ndërsa ka mjaft plane dhe ide për të ndihmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës që shërbejnë edhe në të mirë të komunitetit shqiptar atje.

Si dhe kur mësuat se familja juaj ishte me origjinë shqiptare? Çfarë ndjetë në atë moment?
Sigurisht që kjo ndjenjë nuk erdhi menjëherë por gradualisht, pasi në familjen time flisnin shqip dhe unë kuptoja. Gjyshja ime nuk fliste rusisht dhe as gjuhën ukrainase. Ajo fliste pesë gjuhë. Ndërsa gjyshi dinte rumanisht dhe disa gjuhë të tjera, të cilat i kishte mësuar me dëgjim. Kështu që në mënyrë intuitive kuptova se kisha tjetër origjinë. E kuptova se nuk ishim si gjithë të tjerët ukrainas kur shkova në Karakurt, ku ka shumë shqiptarë. E mendoja Karakurtin si edhe zonat e tjera të Ukrainës, por kur shkova në qytet ku njerëzit flisnin gjuhën ruse dhe atë ukrainase, dhe mësova edhe në shkollë këto gjuhë, kuptova se shqipen tashmë mund ta flisja vetëm në fshat dhe në shtëpi. Pra këtu realisht kuptova se isha ndryshe. Babai na thoshte se duhet të flisnim shqip se ndryshe do ta harronim. Ai kishe frikë se ne mund të humbisnim të folurën në gjuhën e të parëve tanë. Mund të them se ne flasim me një dialekt të veçantë dhe gjuha e sotme letrare duket pak e pakuptueshme për ne, por merremi vesh.
Kur isha 16 vjeçe fillova studimet në Institutin e Kulturës për Koreografi dhe Muzikën Popullore. Në mbarim të universitetit punova si temë diplome “Muzika shqiptare” me dy pjesë, ku merrnin pjesë meshkuj dhe femra. Përmes muzikës realizova lëvizje që u interpretuan nga studentët e kursit tim. Ishte e vështirë për ta, pasi muzika ishte tepër e veçantë dhe nuk ishin mësuar me të. Kur dhashë provimin, udhëheqësi më tha se nuk duhet të kërceja. Kështu ndenja në piano, po luaja atje në mënyrë që të shikoja se si po realizoheshin lëvizjet. Më pas kërceva, e madje edhe pjesët mashkullore sepse duhet të mbaja ritmin. Isha shumë e kënaqur që mundën të më shihnin pedagogët e mi. Ishte hera e parë që shfaqej një valle me muzikë shqiptare.
Sigurisht u vlerësova maksimalisht nga komisioni dhe u ndjeva shumë mirë për këtë, por më tepër u ndjeva krenare se kisha kontribuar në njohjen e kulturës shqiptare, pra për Shqipërinë nga ku kam edhe gjakun. Pas një apo dy muajsh unë e shfaqa edhe në mënyra të tjera këtë kërcim, të cilin nuk ma kishte mësuar njeri por e kisha realizuar vetë. E realizova kërcimin nëpërmjet dëgjimit të muzikë dhe jo me notat. Pra e mësova ritmin e kërcimit nëpërmjet dëgjimit me vesh. Me këto forma muzikore e kisha vështirë të përshtatesha. Për herë të parë kuptova se unë kam edhe ndjenjë edhe gjak shqiptari, pra gjen shqiptar. Asnjëherë nuk kisha parë kërcim shqiptar. Nuk e dija çfarë ishte Shqipëria. Kisha dëgjuar se kishte shqiptarë dhe prejardhja ime ishte nga shqiptarët. Isha krenare që arrita të bëja një gjë të tillë për Shqipërinë, për kulturën shqiptare. Ishte një fitore shumë e madhe, gëzim shumë i madh që kuptova realisht që në gjen dhe në shpirt jam shqiptare.
Ukraina ka një komunitet shqiptarësh që vonë e kemi mësuar. Si i keni ruajtur traditat e zakonet, të mbani gjallë gjuhën dhe ndjenjën kombëtare, shqiptarinë?
E rëndësishme është që shqiptarët arritën të ruanin traditat e tyre. Pavarësisht se këto fshatra ku jetojnë shqiptarët janë të përzier me nacionalitete të tjerë, ata u përpoqën të mos bëjnë martesa me të huajt por vetëm me shqiptarët. Si fillim nisën të njiheshin djemtë me vajza në rrethin e shqiptarëve. Dhe ky ishte një farë mesazhi se “nuk bën të martohesh me kombësi të tjera”. Kjo ndihmoi në forcimin e ndjenjës për të ruajtur gjuhën. Gjithashtu ngaqë ishin njerëz punëtorë dhe aktivë bënë që fshatrat të ishin të pasur. Punonin shumë, por edhe studionin shumë. Mësuesit ishin të mirë dhe ata sigurisht ndihmuan në ngritjen e nivelit kulturor. Ata nuk i braktisën fshatrat e tyre dhe pas studimeve mbanin gjallë fshatrat me vendin e tyre. Problem ka qenë fillimisht se gjuha vetëm flitej. Forcimi nga ana ekonomike dhe ndihma reciproke, e folura në gjuhën e tyre për t’iu fshehur edhe të tjerëve, pra që ata të mos kuptonin çfarë flisnin. Në këtë mënyrë arritën të ruanin gjuhën dhe kulturën e tyre dhe të mbijetonin, pavarësisht se ishin të rrethuar nga kombësi të ndryshme përfshi edhe atë ukrainase. Gjyshja më ka thënë se në 1812 ata u larguan nga perandoria turke, gjithashtu më ka treguar edhe një histori që ka të bëjë me luftën e Carit me osmanët. Ushtria ruse pushtoi fshatin Ismail, ku ishin vendosur shqiptarët, por duke vlerësuar trimërinë e vendasve iu dha mundësinë të vazhdonin të jetonin aty me kusht që të mos luftonin dhe përziheshin me Perandorinë Osmane. Shqiptarët e Ismailit në këtë mënyrë ruajtën pasurinë, traditën dhe doket e tyre. Më pas shqiptarët u zhvendosën në rajonin e Karakurtit, një zonë fare pranë Odesës. Kjo zonë ka këtë emër pasi gjatë gërmimeve banorët gjenin atë që ne në shqip e quajmë qerpiç. Këta banorë i shpëtuan asimilimit nga popullsia vendase ndryshe nga bullgarët dhe rumunët. Një nga faktorët vendimtarë ishte martesa brenda komunitetit.
Rrugëtimi i këtij komuniteti fillon nga jugu i Shqipërisë, duke u vendosur fillimisht në Bullgari e më pas në Turqi e për rrjedhojë ky komunitet ka sot ndikime në tradita, zakone dhe gatime edhe nga këto vende. Kur themi nga Jugu i Shqipërisë kemi parasysh zonat Korçë, Përmet, Kolonjë. Në vendosjen e fundit ku janë edhe sot në zonat rreth Karakurtit, Odesës, ata ruajnë ende të paprekur gjuhën që është folur në zonat e origjinës. Për shkak edhe të ndikimeve të tjera gjuha e tyre u ndikua edhe nga fjalë të turqishtes, bullgarishtes e të tjera, komunitete që banojnë në Ukrainë.

A mund të na thoni disa fjalë në shqip?
Unë mund të flas shqip, por shqipen e “arnautëve”, kështu na quanin: “I miri djalë”, “Çupat shumë të bukura”. Nëse unë do të flas shqipen zyrtare njerëzit e mi atje do të më thonë: “Neli nuk je ti?” Ndërkohë që i themi njëlloj syrit. Edhe këtu në Tiranë flas në dialektin tim pa asnjë problem se kam vënë re se Tirana ka njerëz të mirë dhe me zemër të madhe. Më pëlqen ky qytet i madh dhe me zemër të ngrohtë.
Cila është origjina e familjes suaj, historiku dhe kontributi i saj në komunitetin shqiptar atje?
Kam një familje të madhe me kontribut sigurisht të madh në komunitet. Babai dhe mamaja ime kanë këmbëngulur gjithnjë që ne jo vetëm të shkolloheshim mirë, pra të kishim formimin e duhur, por mbi të gjitha të jepnim kontribut edhe në shoqëri dhe komunitet. Vëllai im është piktor profesionist, motra ime është modeliste e njohur dhe jeton në Londër. Ndërsa unë kam studiuar për koreografi. Familja është përpjekur gjithnjë që të krijojë lidhje me organet qeverisëse në Shqipëri. Në këtë kuadër kemi organizuar edhe festa apo aktivitete të komunitetit shqiptar në Ukrainë ku ka qenë prezent edhe ambasadorja e Shqipërisë me seli në Poloni, që mbulon edhe marrëdhëniet me Ukrainën. Motra ime ka dizenjuar veshjet me motive kombëtare shqiptare të përdorura nga pjesëmarrësit në këto aktivitete. Ndërkohë vëllai im ka realizuar vepra dhe kartolina me motive shqiptare. Ne kemi pasur në Karakurt koleksione të veshjeve dhe sendeve të përdorura nga gjyshërit tanë me prejardhje të hershme të cilat janë vendosur në muzeun rajonal, pas vdekjes së tyre. Në stenda këto veshje shoqërohen edhe me fotografitë e gjyshërve të mi. Në këtë muze praktikisht mund të shikohet historia e komunitetit shqiptar në Ukrainë, përfshi edhe familjen time për të cilën nuk dua të flas më shumë pasi nuk ndihem rehat.
Në kohë të ndryshme kam pasur biseda me eksponentë të komunitetit dhe autoritetet ukrainase për të gjetur një mënyrë për të intensifikuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo ka përkuar edhe me zhvillimet që ka tashmë Ukraina prej vitesh. Synimi ynë është që të paktën të mësojmë në shkollë gjuhën shqipe bazuar në literaturën dhe metodat aktuale. Do të donim të dispononim edhe letërsi në gjuhën shqipe sikundër edhe informacione të tjerë në shqip.
Kam një korrespodencë me ambasadoren e Shqipërisë në Varshavë. I kam kërkuar asaj të përpiqet të ta na ofrojë ndihmë për sigurimin e materialeve didaktike dhe muzikore në shqip. Vitin e kaluar patëm fatin të kishim një kontakt të drejtpërdrejtë me ambasadoren Shpresa Kureta dhe biznesmenë apo njerëz të interesuar për marrëdhëniet Shqipëri-Ukrainë në fusha të ndryshme.
Sa është numri i popullsisë me origjinë shqiptare në Ukrainë?
Në Ukrainë është edhe një zonë tjetër me komunitet shqiptar që quhet Azov, të cilët po ashtu janë të interesuar për të njëjtat gjëra si komuniteti ynë në Karakurt. Bëhet fjalë për një komunitet me origjinë shqiptare prej 3000 personash në Karakurt dhe Azov. Madje dhe në Kiev jetojnë 500 të tjerë. Edhe kjo zonë ka të njëjtat tradita me ne sikundër dhe origjinën, thjesht në momentin e shpërnguljes së fundme një pjesë qëndroi në Karakurt dhe pjesa tjetër u vendos në Azov. Kemi hasur shumë vështirësi në krijimin e lidhjeve kulturore si me komunitetin e Azovit dhe Shqipërinë. Do të donim shumë që të tërhiqnim vëmendjen dhe të zgjonim interesin e qeverisë shqiptare kundrejt komuniteteve tona në Ukrainë.
Që kur kam qenë 12 vjeçe qëndroja në natyrë, shihja diellin e borën dhe kur shtrihesha të flija mendoja se si do të ishin këto në Shqipëri. Fati e deshi që unë të realizoja ëndrrën time dhe të vija në Shqipëri.

Falë ambasadores Shpresa Kureta erdhi në një aktivitete edhe ministri i Diasporës, zoti Pandeli Majko. Sëbashku me ambasadoren kemi krijuar një ide, e cila do finalizuar, me qëllim futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkolla. Qëllimi final është forcimi i lidhjeve me Shqipërinë, shkollimi i duhur dhe ruajtja e lidhjeve të brezit të ri me origjinën e të parëve tanë. Kjo është një nga arsyet që edhe kam ardhur në Shqipëri. Jam shumë mirënjohëse ndaj ambasadores për rolin e madh që ajo ka luajtur në mbështetjen e aspiratave të komunitetit tonë. Do të ishte shumë me vlerë për komunitetin tonë të organizonim një festival me pjesëmarrjen e komuniteteve shqiptare nga e gjithë bota. Kjo do të behet për të dhënë idenë e një kombi të bashkuar.
Keni pak kohë që jeni në Tiranë. Si e ndjeni veten në vendin e origjinës tuaj?
Nëse një njeri arrin të realizojë qëllimin që i ka vënë vetes, ndjehet i suksesshëm dhe i lumtur. Gjeta veten dhe botën time ideale në Shqipëri. E kisha ëndërruar që fëmijë këtë dhe më në fund ëndrra m’u bë realitet.
Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në nëntor të vitit të kaluar dhe përshtypjet e para të mira i krijova që në aeroport. Për çudinë time arrita të merresha vesh me shqipen time “arkaike” me taksistin. E kuptova dhe më kuptoi në ato që i thosha. Gjëja tjetër që më la mbresa ishte fakti se kur taksisti na solli në qytetin ‘’Studenti’’ ku dhe do të banonim ishte i gatshëm të na ndihmonte edhe me bagazhet, duke i ngjitur ato në dhomën e konviktit, kjo pa pagesë, gjë që nuk ndodh në Ukrainë.
Një tjetër mbresë lidhet me mikpritjen. Të bën përshtypje se në Shqipëri kush të ofron kafe e bën këtë duke paguar vetë dhe madje pa të kërkuar asgjë mbrapsh.
Pas pesë vitesh që kam udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës këto janë gjërat që më kanë lënë sinqerisht më shumë mbresa. Këto dhe shumë të tjera i dallojnë shqiptarët nga pjesa tjetër e Evropës.
Jam e surprizuar nga natyra në Shqipëri. Këtu ka shumë diell, çdo ditë, ndryshe nga Ukraina ku jam rritur. Kjo ndikon edhe shumë në anën time emocionale. Aq sa gati do ta konsideroja një tërheqje magnetike. Tani ndjehem sikur kam ardhur shpesh në Shqipëri. Ndihem rehat dhe po ashtu kuptoj se rrethohem nga një atmosferë pozitive, nga njerëz të afërt dhe miqësorë. Këtë pozitivistet dhe atmosferë pozitive që ndjej po e përçoj nëpërmjet mediave sociale në komunitetin shqiptar në Ukrainë.
Sapo mbërrita në Tiranë u mundova të vihesha në kontakt me ukrainas që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Kjo ka qenë një nga misionet e mia gjatë qëndrimit këtu, sigurisht me ndihmën e qeverisë shqiptare. Kam filluar me ngritjen e grupit të ukrainasve në Shqipëri përmes rrjetit social dhe ndihem mirë që kam filluar të kem reagime pozitive nga ukrainasit që janë shumë kurioz me destinacionin tim të ri. Dua të them se në Ukrainë ka pak informacion për Shqipërinë dha ky informacion i referohet 20 viteve më parë. Shpresoj që këto forume dhe mediat sociale të ndikojnë dhe të sjellin informacionin e dedikuar për Shqipërinë dhe realitetin e sotëm shqiptar.
Çfarë planesh keni dhe cila është agjenda e takimeve tuaja?
Objektivi im kryesor është takimi me ministrin e Diasporës zotin Pandeli Majko, i cili para disa kohësh ishte në Ukrainë ku edhe u shpreh se ftonte përfaqësues të Ukrainës zyrtare të vizitonin Shqipërinë në mënyrë që të krijohen marrëdhënie të ndërsjella Shqipëri-Ukrainë. Do të kisha shumë dëshirë të takohesha edhe me ministren e Kulturës dhe Kryetarin e Bashkisë-Tiranë, Rektorin e Universitetit të Arteve dhe Drejtorin e Galerisë së Arteve, Drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar dhe Kryetarin e Akademisë së Shkencave, drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, etj.
Kam pasur një takim mbresëlënës me Drejtorin e Cirkut të Tiranës, që e konsideroj një fillim shumë të mirë për bashkëpunim në projektet e ardhshme.
Duke parë interesin në rrjetet sociale që menaxhoj shikoj si histori suksesi bashkëpunimin reciprok në të tëra fushat; art, kulturë dhe më gjerë. Shpresoj që e ardhmja e afërt të mundësojë marrëdhënie më të mira midis dy shteteve tona, gjë që do të krijonte një klimë favorizuese për komunitetin shqiptar në Ukrainë. Ideale do të ishte materializimi i këtyre përpjekjeve me krijimin e Qendrës Kulturore Shqiptaro-Ukrainase. Kjo qendër duhet të funksionojë në të dy shtetet. Shpresoj në gjetjen e mirëkuptimit dhe mbështetjen e të dy qeverive.

Koncerti
Në nëntor të vitit 2016 Neli organizoi një koncert me rastin e 28 Nëntorit, Ditës Kombëtare Shqiptare, 104 vjetorin e Pavarësisë. Në këtë koncert ishte e pranishme edhe ambasadorja shqiptare në Varshavë, Shpresa Kureta. Në koncert morën pjesë fëmijë të moshave të ndryshme që nën koreografinë dhe drejtimin e Syupyur performuan valle shqiptare.
Neli do të ishte edhe një nga valltaret në atë koncert. Ky aktivitet shërbeu për afrimin e mëtejshëm mes saj dhe ambasadores, që menjëherë pas koncertit i bëri ftesën zyrtare për të ardhur në Shqipëri, ku do të studionte gjuhën shqipe dhe të përmbushte agjendën e saj. Ky koncert u pasua nga një aktivitet në gusht në fshatin e origjinës, në Karakurt, ku morën pjesë rreth 300 vetë, burra, gra e fëmijë. Në këtë aktivitet pjesëmarrësit mundën të mësonin e kërcenin valle etnike shqiptare.

Kërcimtarja me emër
Neli Syupyur u diplomua nga Universiteti i Kulturës dhe Arteve në Kiev, katedra e koreografisë popullore, në vitin 2002, si koreografe-balet maestre, artiste. Eksperienca e mësimdhënies dhe punës së saj në skenë është mbi 20 vjet.
Ajo mund: Të organizojë dhe të mbajë një festival; – Të kryejnë klasa master, flash mobs, mësime të hapura për flamenko, kërcime ukrainase, shqiptare dhe valle të tjera etnike; – Të zhvillojnë klasa në koreografi; – Të punojë si drejtuese dhe koreografe në vallet etnike të kombeve të ndryshme të botës; – Të bëjë një shfaqje vallëzimi; – Të kërcejë në valle solo ose në grup. – Ofron një program origjinal solo flamenko (30 minuta), një program etnik (30 minuta) etj.
Referenca profesionale
Ndërfaqe me videot e Neli Syupyur: https://www.youtube.com/user/NSyupyur/playlists
Ndërfaqe të vallëzimit shqiptare me video: Neli Syupyur. Kulturës shqiptare. Karakurt. 2017.
Neli Syupyur. Festa shqiptare. Në selinë e ambasadës shqiptare në Kiev. 2/12/2016 https://www.youtube.com/watch?v=WMdc6NAiQb4
Neli Syupyur. Valle shqiptare. Ukrainë. https://www.youtube.com/watch?v=UPb7Inno-V8
Shkolla Flamenco Neli Syupyur. Grupi i koncerteve (Кiev -Odessa). https://www.youtube.com/watch?v=L2lvKdtZHc4
Albania (Tirana) Cel. : + 355676415743
Email: [email protected]

Kush është Neli Syupyur
Arsimimi: • (1984-1996) – Ansambli shembullor i kërcimit “Katyusha” (Ukrainë). Ajo filloi të kërcejë që në moshën 5 vjeçare.
- (1997 – 2002) – Universiteti Kyiv i Kulturës dhe Arteve. U diplomua si Koreografe e kualifikuar e koreografisë popullore, mësuese e disiplinave të veçanta, artiste.
Aktiviteti artistik:
1989 : Laureate e Festivalit Ndërkombëtar në Rousse (Bullgari) si pjesëmarrëse e Ansamblit shembullor të kërcimit “Katyusha”.
2000 – 2005: Pjesëtare në ekipin e Artistes së Nderuar të Ukrainës Galina Çernaya (me interpretim të romancës cigane).
1998 – 2003: Mësoi të kryejë valle popullore në studiot dhe shkollat e Kievit
2000: Pjesëmarrëse e Festivalit Ndërkombëtar të Artit Cigan “Amala-2000” (Kiev) si pjesë e ekipit të Galina Chernaya.
2003: Hapi kursin dhe organizoi grupin e saj të vallëzimit flamenco në qendrën kulturore spanjolle “Paraleli 28” (Kiev).
7 qershor 2007: Koncerti i parë solo i ‘’Neli Syupyur në Kiev’’.
11 gusht 2007: Koncert i ‘’Neli Syupyur në Sevastopol’’, i cili u bë koncerti i parë i kërcimit flamenco në gadishullin e Krimesë.
31 mars 2009 : Performanca e parë me valle ukrainase në stilin flamenco (qe autore e idesë, drejtuese dhe interpretuese e rolit si titullares).
2009 : Fitoi të gjitha konkurset ukrainase dhe ndërkombëtare me valle flamenco dhe valle popullore meksikane midis profesionistëve. Aktivitetet e saj mbahen me mbështetjen e Ambasadës së Meksikës në Ukrainë.
2010 – 2013: Pjesëmarrëse në pesë festivale të muzikës etnike dhe shfaqja “Neli Syupur fton” në Ukrainë.
Mars 2010 :Trajnime dhe aktivitete të realizuara prej saj në Sevastopol, falë të cilave u hapën studiot e parë të valleve dhe shkollat e flamencove në Krime.
23 tetor 2010 : U nderua me Çmimin e Parë të Çmimit të Madh të rajonit të Karpateve (Berehove, Ukrainë). Çmimi iu dorëzua nga Artisti i Popullit të Ukrainës Grigory Chapkis.
22 tetor 2011: Festivali i Parë i Hapur i Ukrainës “Flamenco dhe kultura e Amerikës Latine” u mbajt në Odessa (Ukrainë). Autore dhe organizatore Neli Syupyur.
7 tetor 2012: Ajo dhe Anna Smirnova (interpretuese profesionale ukrainase e vallëzimit të tempullit indian) realizuan koncertin me “Valle indiane. Flamenco “. Mysafir i nderit në koncert ishte ambasadori i Indisë në Ukrainë Rajiv Chandra.
20 Tetor 2012: Ishte balerina e parë ukrainase për të performuar në koncertin e yjeve të flamenkos spanjolle Rosario dhe Riccardo Castro.
2013: Neli Syupyur paraqiti shfaqjen në zhanrin e ri ukrainas flamenco – kultura e parë e bashkuar ukrainase dhe flamenco. Kjo performancë dhe fragmentet e saj paraqiten me sukses në Ukrainë dhe Evropë.
2013 e në vazhdim: Mban klasa master të hapura në qytetet e Ukrainës për të gjitha kërkesat.
Nga pranvera e vitit 2014 e në vazhdim: Ka marrë pjesë në koncerte bamirësie, shfaqje bamirësie për refugjatët, ushtarakë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, familjet me të ardhura të ulëta dhe fëmijët.
Që nga viti 2014: Punon si vullnetare në Ukrainë dhe Evropë, si koreografe dhe kërcimtare.
2015 – 2016: Ajo dhe organizata ukrainase në Itali “Kurora e Kujtesës”, realizuan projektin në kujtim të Martirëve të Qiellit (Heronjtë e Revolucionit të Ukrainës).
2016 : Ishte balerina e parë ukrainase për të kryer vallëzimin italian Pizzik në skenën profesionale. Brenda kufijve të festivalit “Deklaro veten” (Kiev).
2 dhjetor 2016: Realizoi shfaqje në Kiev në emër të Konsullatës së Shqipërisë në Ukrainë me valle popullore shqiptare.
Gusht 2017: Realizoi ‘’master-klasën Neli Syupyur’’ në Karakurt (rajoni Odessa), ku jetojnë shqiptarët etnikë në mënyrë kompakte, organizoi valle shqiptare për grupin e valleve lokale. Në fund të master-klasës kreu një kërcim bashkë me një grup lokal me fëmijë.
Që nga viti 2007: Ka realizuar valle, koncerte, pjesëmarrje në hartimin e festivaleve, programe kulturore për ambasadat, konsullatat, diasporat dhe organizatat kulturore në Ukrainë dhe Evropë.
2014: Realizon projektet e veta bamirëse si vullnetare dhe merr pjesë në projektet e miqve dhe partnerëve të saj për fëmijë dhe të rinj në Ukrainë, Gjermani, Itali, Slloveni, Sllovaki, Spanjë.
Që nga nëntori 2017: Po studion gjuhën shqipe në Universitetin e Tiranës (Shqipëri) dhe po njihet me traditat kulturore shqiptare. Po punon për krijimin e teatrit të saj. Neli bashkëpunon dhe fton artistë, interpretues dhe personalitete krijuese shqiptare e të huaja për të bashkëpunuar -with Neli Syupyur-choreographer.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



