Krijimi i ushtrisë kurde, Erdogan kërcënon me shfarrosje militantët
Fuqitë kyçe, të përfshira në luftën civile të Sirisë, kanë kritikuar SHBA-në për ndihmën që i ka ofruar një milicie, të udhëhequr nga kurdët, për të formuar një “forcë kufitare të sigurisë” prej 30,000 vetash.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u zotua se “do t’i mbytë” përpjekjet për të trajnuar Forcën Demorkatike Siriane dhe për të krijuar, siç ka thënë ai, “ushtrinë terroriste”.
Turqia i konsideron luftëtarët kurdë si terroristë. Qeveria e Sirisë kritikoi, siç tha ajo, “sulmin e hapur” mbi sovranitetin e saj, ndërsa Rusia tha se një gjë e tillë mund të çojë në ndarje. Me ndihmën e SHBA-së, Forca Demokratike Siriane ka marrë nën kontroll dhjetëra-mijëra kilometra katrorë të territorit nga militantët e Shtetit Islamik.
Në muajin tetor, aleanca ka marrë kontrollin e plotë të qytetit Raka, kryeqytetit de facto të kalifatit që ka shpallur grupi xhihadist në vitin 2014, raporton Radio Europa e Lirë. Qysh atëherë, Forca Demokratike Siriane ka avancuar drejt jugut, përgjatë anës lindore të luginës së Lumit Eufrat.
Të shtunën, një zëdhënës i koalicionit shumëkombësh kundër Shtetit Islamik ka konfirmuar se ky koalicion, që udhëhiqet nga SHBA-ja, është duke punuar me Forcën Demokratike Siriane për të krijuar dhe trajnuar një forcë të re të sigurisë kufitare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



