Kryetari i Bashkisë Tropojë, Byberi paraqitet në SPAK

Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, është paraqitur në SPAK mëngjesin e kësaj të enjteje.

Mësohet se ai do të pyeter për denoncimet për tenderat në Bashkinë Tropojë.

Një tender për rikonstruksionin e disa urave në zonën e Tropojës, është vënë në skaner nga prokuroria e posaçme SPAK, ku objektiv i këtij hetimi janë zyrtarë të bashkisë Tropojë dhe administratorët Rrok dhe Verë Gega.

SPAK ka regjistruar një dosje penale me Nr.47, ku janë ngritur dyshime të forta se kompania “Rroku Guest” ka kryer punime fiktive.

Hetimi ka nisur në muajin shkurt 2024, ndërsa SPAK ka kërkuar nga zyrtarët e bashkisë Tropojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që lidhet me procedurat e një tenderi publik me objekt “Ndërtim e rikonstruksion urash në bashkinë Tropojë”.

Sipas dokumenteve zyrtare për mirëmbajtjen e disa urave në zonën e Tropojës, bashkia e këtij qyteti ka shpenzuar një shumë prej 145 milion lekë të vjetra, të cilat janë arkëtuar në llogarinë bankare të kompanisë së ndërtimit “Rroku Guest”.

Kjo pagesë është kryer nga ana e Bashkisë Tropojë në 29 janar 2024, ndërsa regjistrimi i faturës së shitjes është kryer në 29 dhjetor 2023.

Kalimi i kësaj shume në llogaritë e “Rroku Gest”, që menaxhohet nga çifti Rrok dhe Vera Gega, ka ngjallur dyshime të forta ndaj prokuroria e posaçme SPAK, ka nisur hetimet për këtë subjekt ndërtimi dhe zyrtarët e bashkisë së Tropojës.

 SPAK ka kërkuar nga ana bashkisë Tropojë ti vendosi në dispozicion faturën Nr.39 të datës 29 dhjetor 2023 si dhe situacionet e punimeve dhe urdhrin e shpenzimeve të kryera nga ana e kompanisë së ndërtimit “Rroku Guest”.

Dyshimet e SPAK, janë për paraqitje situacionesh punime fiktive me qëllimin e vetëm të lëvrimit të fondeve publike nga buxheti i bashkisë Tropojë.

Prokuroria ka kërkuar ditarin e punimeve për këtë procedurë tenderimi, kontratën e lidhur me këtë subjekt privat si dhe subjektin mbikëqyrës të punimeve që janë kryer për rikonstruksionin e disa urave në bashkinë Tropojë.

“Rroku Guest” është një shoqëri ndërtimi që ka fituar dhjetëra tendera publikë në disa bashki të zonës së veriut. Kompania administrohet nga Rrok Gega, por për shkak të problemeve me drejtësinë pasi ai u dënua për mashtrim me faturat fiktive, “Rroku Guest”, i kaloi me kontratë dhurimi bashkëshortes së tij, Verë Gega.

Publikuar nga Publik Media