Kush e kërcënon Belinda Ballukun?
Deputeti i “Mundësia”, Erald Kapri, ka akuzuar sot mazhorancën për shkelje të Kushtetutës, pasi në seancën plenare ku po diskutoheshin disa ligje me rëndësi mungonin kryeministri dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kapri theksoi se sipas procedurave ligjore, për aktet normative duhet të jetë e pranishme zëvendëskryeministrja, e cila megjithatë nuk është paraqitur, as në raste të tjera kur është kërkuar interpelancë.
“Po shkelni Kushtetutën. Arsyeja është e thjeshtë: në kalendarin e sotëm keni vendosur disa ligje me rëndësi, por mungon kryeministri dhe zëvendëskryeministrja. Me aktet normative merret zëvendëskryeministrja, por ajo nuk vjen në Parlament, as kur bëhen kërkesa për interpelancë,” deklaroi Kapri.
Deputeti shtoi se arsyeja e mungesës së zonjës Balluku, sipas tij, lidhet me hetimet që po zhvillohen nga SPAK:
“Halli dihet. Nëse zonja Balluku vjen në sallë, gjëja e parë që do të pyetet është kush është personi që e kërcënon atë. Sepse ka një dosje në SPAK,” – theksoi Kapri.
Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të disa akteve normative, ndërsa opozita akuzoi qeverinë për shmangie nga përgjegjësitë kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



