Kush është Nobelistja e 2026-s Anne Carson?
Anne Carson është fituesja e Nobelit për Letërsinë 2026. Shkrimtarja kanadeze, poete, eseiste dhe përkthyese e letërsisë klasike greke, u vlerësua nga Akademia Suedeze për veprën e saj “të guximshme dhe novatore”, përmes së cilës ka krijuar forma të reja në letërsinë bashkëkohore duke e vendosur traditën klasike në një dialog të vazhdueshëm me botën moderne.
E lindur në Toronto më 21 qershor 1950, Carson është formuar si specialiste e letërsisë klasike dhe ka një lidhje të jashtëzakonshme me autorët e Greqisë së lashtë. Ajo ka përkthyer Saffon, Euripidin dhe Sofokliun, ndërsa në veprat e saj origjinale mitet, figurat dhe idetë e botës antike rikthehen në forma krejtësisht bashkëkohore.
Carson është një autore që vështirë të futet në një zhanër të vetëm. Poezia, eseja, proza, përkthimi, teatri dhe studimi klasik ndërthuren vazhdimisht në librat e saj. Pikërisht kjo prirje për të kapërcyer kufijtë tradicionalë të letërsisë është një nga arsyet pse Akademia Suedeze e cilësoi veprën e saj si krijuese të “formave të reja” për letërsinë e sotme.
Dhe për lexuesin shqiptar lind pyetja: nga duhet nisur?
“Autobiografia e së kuqes” – Autobiography of Red (1998)
Nëse do të zgjidhnit vetëm një libër për të hyrë në botën e Anne Carson, ky është ndoshta vendi më i mirë për të nisur.
“Autobiografia e së kuqes” është një roman në vargje që merr si pikënisje mitin e Geryonit, bishës së kuqe me krahë që, në mitologjinë e lashtë, vritet nga Herakliu.
Carson e zhvendos historinë në botën moderne. Geryoni bëhet një adoleshent i ndjeshëm, i vetmuar dhe i apasionuar pas fotografisë, ndërsa Herakliu shndërrohet në një figurë moderne me të cilën ai krijon një lidhje të fortë emocionale.
Historia e tyre bëhet një rrëfim për dashurinë, dëshirën, humbjen, vetminë dhe rritjen. Miti i lashtë nuk mbetet thjesht dekor; Carson e përdor atë për të folur për përvoja shumë moderne.
Është gjithashtu vepra që Akademia Suedeze veçoi si shembull të aftësisë së Carson për ta bërë traditën klasike jashtëzakonisht bashkëkohore.
“Bukuria e bashkëshortit” – The Beauty of the Husband (2001)
Një tjetër pikë e rëndësishme e veprës së Carson është “The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos”, një libër që ndërthur poezinë, esenë dhe rrëfimin.
Subjekti është një martesë që shkon drejt shkatërrimit. Përmes kujtimeve të një gruaje, Carson eksploron dashurinë, tradhtinë, dëshirën, varësinë emocionale dhe dhimbjen e ndarjes.
Vetë forma është pjesë e eksperimentit: historia është ndërtuar si një seri prej 29 “tangosh”, duke e kthyer marrëdhënien martesore në një lloj koreografie të afërsisë dhe largimit. Libri fitoi çmimin T.S. Eliot për Poezinë.
“Eros the Bittersweet” (1986)
Për lexuesin që dëshiron të kuptojë më mirë mënyrën se si mendon Carson, një zgjedhje tjetër është “Eros the Bittersweet”.
Është një ese mbi dëshirën dhe dashurinë, e ndërtuar mbi një kombinim të studimit të letërsisë klasike dhe reflektimit filozofik. Libri i hershëm tregon që në fillim atë që më vonë do të bëhej një nga shenjat dalluese të Carson: aftësinë për të bashkuar dijen akademike me një ndjeshmëri shumë personale dhe poetike.
“Nox” (2010)
Nëse “Autobiografia e së kuqes” lidhet me mitin dhe “Bukuria e bashkëshortit” me dashurinë dhe martesën, “Nox” është një vepër e ndërtuar rreth zisë, kujtesës dhe humbjes.
Libri lidhet me vdekjen e vëllait të Carson dhe është krijuar si një objekt artistik, me materiale, fragmente, imazhe dhe tekst. Është një nga shembujt më të qartë të mënyrës se si Carson nuk e sheh librin vetëm si një tekst linear, por si një hapësirë ku letërsia mund të takohet me artet pamore.
Një autore që nuk lexohet gjithmonë lehtë
Anne Carson nuk është domosdoshmërisht një autore për t’u lexuar me shpejtësi. Tekstet e saj kërkojnë vëmendje, sepse ajo shpesh kalon nga poezia te eseja, nga miti te përvoja personale, nga filozofia te një imazh i thjeshtë apo një fragment dialogu.
Por pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e saj.
Në vend që ta trajtojë antikitetin si një botë të mbyllur, Carson e sjell atë në të tashmen. Saffoja, Herakliu, Geryoni, Helena apo personazhe të tjera klasike nuk shfaqen thjesht si figura muzeale; përmes tyre ajo flet për dashurinë, dëshirën, identitetin, humbjen dhe vetminë e njeriut modern.
Dhe ndoshta kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar pse Anne Carson është nobeliste në vitin 2026.
Për lexuesin shqiptar, një pengesë mbetet: vepra e saj ende nuk është gjerësisht e përkthyer në shqip, ndaj për momentin leximi i Carson kërkon botimet në gjuhë të huaja. Pas Nobelit, megjithatë, është e pritshme që interesi për përkthimin e saj në shqip të rritet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



