Letersi/NUMRI I HARRUAR
Zija Cela
I hoqi këpucët pa i zgjidhur, duke i shkelur te thembrat herë njërën e herë tjetrën. I tronditur siç ishte, filloi t’i binte telefonit. Me kë do të fliste? E ç’rëndësi kishte, mjaft të dëgjonte një zë dhe t’i qante hallin. Duhet ta kishte vërtitur diskun nja pesëdhjetë herë, kur u kujtua se telefoni nuk punonte. Megjithatë, ngaqë në vetmi nuk gjente ngushëllim dhe mendja i vinte rrotull, vazhdoi ta rrotullonte ende diskun, si të shpresonte se ashtu aparati do të vihej në punë.
Dhe vërtet, kur kishte formuar një numër me shumë shifra, i erdhi në vesh një mërmërimë e lehtë, sikur telat të ishin bërë të gjallë e të sillnin lëvizjen e erës. Pastaj, sa më shpesh vërtiste diskun e sa më shumë rritej numri, aq më tepër forcohej mërmërima, derisa u kthye në një frushullimë të pandërprerë që vinte nga larg, shumë larg, si një gjëmim stuhie. Ai ndizte cigare njërën pas tjetrës, shfrynte me dëshpërim, por prapëseprapë, duke e ngjeshur dorezën e telefonit nën nofull, nuk ia ndante gishtin diskut.
Pak nga pak shungullima erdhi duke reshtur, nisi një pipzim i çuditshëm që dukej se aparati nuk do të mund ta mbante. Dhe kur, megjithatë, ai u tregua kokëshkretë, madje ndezi cigare të tjera pa e ndalur rrotullimin e diskut, matanë ra një heshtje e plotë. Ai po matej ta ulte dorezën, kur befas u dëgjua një zë kumbues:
– Kush më kërkon dhe përse?
Ai shpejtoi të përgjigjej:
– Jam një fatkeq që po e mbyt dëshpërimi. Mos ju zgjova nga gjumi?.. Kam tërë natën që i bie telefonit, sepse askush s’ma di hallin që kam.
– Ç’hall ke? – pyeti zëri matanë.
– Të gjithë miqtë që kisha, më lanë, – tha ai.
– Miqtë? Çfarë të të them për miqtë! Por mos u dëshpëro, unë nuk kam si të të ngushëlloj. Im bir kishte dymbëdhjetë miq dhe të gjithë e braktisën në një ditë. Pastaj ai i fali dhe ata i mbetën besnikë përgjithmonë. Bën mirë që t’i falësh miqtë.
– Po mua edhe vëllezërit më kanë lënë.
– Oh, – psherëtiu tjetri matanë, – më mirë të mos ma kishe thënë këtë fjalë. Unë prandaj nuk kam vëlla, sepse kurrë nuk kam dashur që ndjenjën e vëllazërisë ta vë në provë. Dhe meqë këtë ndjenjë nuk e njoh, si mundem të të ngushëlloj?! Megjithatë, fali vëllezërit e tu.
– Po unë jam krejt vetëm, – tha prapë ai, – mua edhe nëna më ka lënë.
– Nëna?
– Po, u lodh prej meje dhe më braktisi. Ndoshta më braktisi nga mërzia. Unë mendoj se, në përgjithësi, edhe vdekjen njerëzit nuk e pësojnë nga sëmundjet, por nga mërzia. Sa do të doja ta shihja nënën përsëri!
– Ngaqë je vetëm, prandaj?
– Po, ngaqë jam vetëm. S’e di se çfarë kam humbur dhe as se çfarë më ka mbetur, por nëse do të qaja, do të qaja për të tjerët. Sidomos për nënën.
– Unë vetë jam pa nënë. Ajo ose më ka lindur mua dhe ka vdekur, ose ka vdekur pa më lindur mua. E sheh pra, unë jam më fatkeq se ti, pa nënë, pa vëlla dhe me një djalë që miqtë e tradhtuan. Megjithatë, e kuptoj gjendjen tënde. Tani për tani jam shumë i zënë, por pa zbardhur drita miqtë dhe vëllezërit do të vijnë tek ti. U thuaj atyre që të më bëjnë një telefon dhe të ma kujtojnë hallin tënd për nënën. Dëshiroj të bisedoj vetë me ata, kjo është e domosdoshme.
Ai nuk e besoi, por pa dalë mirë drita, në portën e tij trokitën miqtë dhe vëllezërit. Dukeshin fort të penduar dhe, ende pa e çelur gojën ai, i kërkuan të falur.
– Mbetet vetëm që të kthehet nëna, – i thanë ata.
– Po, – u hodh ai, – dhe që të kthehet nëna, ju duhet të telefononi…
– Në ç’numër? – pyetën vëllezërit dhe miqtë.
Ai heshti. Sikur botën mbarë t’ia falnin, nuk ishte më në gjendje ta riprodhonte atë numër. Prandaj dhe ata ikën, duke e quajtur të marrë, gënjeshtar dhe delirant. Ai mbeti përsëri vetëm, pa miq, pa vëllezër dhe pa nënë.
Vetëm është edhe sot e kësaj dite, sepse me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme, nuk po arrin të lidhet prapë me atë zërin e largët. Me sa duket, njerëzimi ka kohë që ia ka harruar numrin e telefonit Zotit
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


