Liburn Aliu ‘ruan’ sekretaren, Porti i Durrësit është han pa porta!
Porti i Durrësit, prej gjashtë muajsh pa drejtues të sigurisë? Denoncimi në Publik.al ngre pikëpyetje për kontrollet në kalata
Kush e zëvendësoi Alfred Velajn, çfarë u kontrollua gjatë periudhës së vakancës dhe pse procedura për drejtuesin e ri u zvarrit? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje nga Autoriteti Portual dhe institucionet përgjegjëse.
Një denoncim i përcjellë redaksisë ngre shqetësime serioze për funksionimin e sigurisë në Portin e Durrësit. Sipas burimit, prej rreth gjashtë muajsh Forca e Sigurisë Portuale nuk ka pasur një drejtues të emëruar, ndërsa kontrolli në disa zona të portit, përfshirë kalatat lindore të administruara nga koncesionari, është në gjendje të mjerueshme. Nga këtu vlon kontrabanda prej muajsh.
Denoncuesi thotë se nuk kryhen kontrolle të rregullta ndaj jahteve dhe se kontrolli i kalatave është në mëshirën e kontrabandës. Po të kontrollohen regjistrat e hyrje-daljeve, raportet e inspektimit dhe planet e sigurisë, do të skandalizoheni nga batërdia që ndodh në portin e vendit anëtar të NATO-s.
Alfred Velaj u largua, por pse?
Alfred Velaj, i cili drejtonte Forcën e Sigurisë Portuale për vite me radhë, kishte njoftuar dorëheqjen pasi informoi Liburn Aliun me email se kamerat kishin identifikuar bote nafte që hynin e dilnin pa targa dhe të paidentifikuara. Drejtori i Portit, Liburn Aliu, i cili sapo ishte emëruar në detyrë nga klani i Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, u marros pas sekretares dhe nuk iu përgjigj kurrë shqetësimeve dhe fakteve të shoqëruara me filmime të boteve pa targa, natën vonë, në kalata. Përkundrazi, më 18 shtator, media lokale raportoi se Velaj ishte larguar nga drejtimi dhe se Dionis Novaku pritej ta zëvendësonte, por emërimi i Novaku-t, sipas të njëjtit raportim, ende nuk ishte zyrtarizuar.
Velaj dha dorëheqjen apo u shkarkua? Njerëz të besuar të Liburnit dhe bandës së Durrësit morën drejtimin e strukturës së sigurisë. Pasi posti mbeti vakant, a u mor ndonjë masë për të garantuar vijimësinë e komandimit dhe të kontrolleve?
Denoncuesi thotë se u ushtrua presion mbi Velajn, që të kishin dorë të lirë në kontrabandë.
Kjo e bën të domosdoshëm publikimin e aktit të largimit, të procedurës së përzgjedhjes dhe të vendimit për emërimin e pasuesit.
Drejtori Liburni mbyllet me orë të tëra bashkë me dashurinë e jetës brenda zyrës me çelës, edhe kur vjen në punë. Të premten e merr me vete dhe shkojnë për “piknik”, ose në Kosovë, ose në Jug.
Konkursi dhe boshllëku në drejtim
Sipas denoncimit, procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri të Sigurisë është zvarritur për muaj dhe gara është fiktive. Më 18 shtator u raportua se në konkurs kishte marrë pjesë Dionis Novaku dhe se emërimi i tij pritej të bëhej javën pasuese.
Për të sqaruar nëse gara ishte transparente, duhen bërë publike shpallja e vendit vakant, kriteret, përbërja e komisionit, lista e kandidatëve, pikëzimi dhe vendimi përfundimtar. Pa këto dokumente, pretendimi për konkurs fiktiv mbetet i paverifikuar, por mungesa e transparencës e shton dyshimin publik.
Çfarë ndodh në kalatat lindore?
Skandaloze dhe alarmante është gjendja në kalatat lindore, të cilat, sipas denoncimit, nuk kanë kontroll. Po kështu, burimi pretendon se jahtet nuk kontrollohen siç duhet. Kjo ngre pikëpyetje për sigurinë e lëvizjes së mjeteve dhe mallrave, si dhe për ndarjen e përgjegjësive mes Autoritetit Portual, Forcës së Sigurisë Portuale, doganave, policisë kufitare dhe koncesionarit.
Në faqen e vet zyrtare, Autoriteti Portual e përshkruan Forcën e Sigurisë Portuale si strukturë që vepron 24 orë dhe ka përgjegjësi për mbrojtjen e anijeve dhe hapësirave portuale. APD-ja ka njoftuar gjithashtu se siguria portuale dhe kontrolli i aksesit realizohen sipas standardeve ndërkombëtare ISPS. Këto deklarime janë vetëm fjalë kur krahasohen me gjendjen reale në terren dhe me regjistrat e kontrolleve.
Një port mund të ketë struktura, rregullore dhe pajisje sigurie, por kjo nuk e mbyll pyetjen nëse kontrollet kryhen në çdo zonë, në çdo turn dhe për çdo kategori mjetesh. Përgjigjja duhet të mbështetet te evidencat: sa kontrolle janë kryer, sa shkelje janë konstatuar dhe çfarë masash janë marrë.
Denoncuesi thotë se drejtori i Autoritetit Portual, Liburn Aliu, ka dijeni për situatën, por nuk ka urdhëruar auditim apo kontroll të posaçëm dhe nuk ka kallëzuar shkelje. Këto pretendime të publikuara nga Publik.al kërkojnë përgjigje zyrtare nga APD-ja.
A janë kryer auditime të sigurisë gjatë periudhës së përmendur, kur porti ka qenë pa drejtues të sigurisë? A ka pasur raporte për mangësi në kalatat lindore ose për kontrollet e jahteve? A janë njoftuar organet ligjzbatuese, doganat apo strukturat e sigurisë kombëtare? Kush ka marrë përgjegjësi për ndjekjen e rekomandimeve?

Porti i Durrësit është infrastruktura më e madhe portuale e vendit dhe një pikë me rëndësi të veçantë ekonomike dhe sigurie. Vetë ministri i Infrastrukturës e ka cilësuar portin si nyje të rëndësishme për korridoret rajonale dhe operacionet e sigurisë. Prandaj, vakanca në një post kyç dhe pretendimet për kontrolle të dobëta nuk mund të trajtohen si çështje e brendshme personeli.
Përgjigjet kërkohen nga Autoriteti Portual Durrës, Ministria e Infrastrukturës, Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, doganat dhe koncesionari: Kur u largua Alfred Velaj dhe për çfarë arsye? Kush e drejtoi forcën gjatë vakancës? A u zhvillua konkursi sipas rregullave dhe kur u bë emërimi zyrtar? Çfarë kontrollesh u kryen në kalatat lindore dhe ndaj jahteve? A ka pasur auditime apo kallëzime për shkelje?
As heshtja institucionale nuk mund të zëvendësojë dokumentet që tregojnë se kush e kishte përgjegjësinë për sigurinë në port. Drejtori Liburni duket se e ka mendjen te sekretarja dhe po “ecën” me sukses si Vlora Hyseni në SHISH, që fikte radarët për Ergys Agasin. Ndryshe nga Vlora, Liburni fik kamerat e portit më të madh të vendit anëtar të NATO-s dhe e ka kthyer në han pa porta. (Vijon)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



