E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Lulëzon’ tregu i zi i armëve në Shqipëri, alarm për trafikimin nga Kosova
Lajme

‘Lulëzon’ tregu i zi i armëve në Shqipëri, alarm për trafikimin nga Kosova

Rritja e fuqisë së grupeve kriminale po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në arsenalin e armëve që ato posedojnë, ndërsa autoritetet flasin për një trend shqetësues në rritje të trafikut dhe qarkullimit të armëve të zjarrit në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga Policia e Shtetit, vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë sekuestruar 83 armë zjarri, ku pjesa më e madhe rezulton të jenë pistoleta. Hetimet paraprake tregojnë se një pjesë e tyre dyshohet të jenë futur në Shqipëri nga Kosova përmes linjave të trafikut ilegal.

Gjatë javës së parë të shkurtit, strukturat e policisë në Tiranë ndërmorën dy operacione të veçanta kundër trafikut të armëve. Në këto aksione u sekuestruan 17 pistoleta dhe 3 armë automatike, të cilat dyshohet se kishin hyrë nga Kosova me synim shitjen në tregun e paligjshëm në kryeqytet. Autoritetet e konsiderojnë këtë si një tregues se trafiku i armëve nga Kosova drejt Shqipërisë po funksionon tashmë si një linjë e konsoliduar kriminale.

Pas ekspertizës së armëve të sekuestruara, u konstatua se pistoletat ishin imitime të markës së njohur Glock. Ky fakt ka shtyrë grupet hetimore të intensifikojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me autoritetet kosovare për të identifikuar vendin e prodhimit dhe rrjetet që qëndrojnë pas shpërndarjes së tyre.

Statistikat e policisë tregojnë se vetëm gjatë këtij viti janë arrestuar rreth 90 persona të kapur duke mbajtur, transportuar apo magazinuar armë pa leje. Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar u sekuestruan 690 armë zjarri të kalibrave dhe llojeve të ndryshme, ndërsa 780 persona përfunduan në pranga nën akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Autoritetet e rendit paralajmërojnë se operacionet kundër trafikut të armëve do të vijojnë, duke e konsideruar këtë fenomen si një nga faktorët kryesorë që ushqen aktivitetin e grupeve kriminale dhe rrit rrezikun për sigurinë publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.