Majkëlli im” dhe Shalësi i zhegut
EDI LESI
Kur të kap ajo kotësia e orëve pa ngjyrë të zhegut, kohë kur dikush s’bën gjë prej gjëje veç ngul sytë në tavan, patjetër është një libër diku në një qoshk që të përgjon. Një libër që duhej të ishte lexuar para se ta zinte mbulesa me kokrriza pluhuri. “Majkëlli im” është një prej krijimeve më të mira të Amos Oz. Sa e nis, ti thyen qafën në një botë që rrallë e ke hasur më parë nëpër letra.
Ky nobelist izraelit ka hyrë nën lëkurën e një gruaje të re, dhe sjell prej andej brengat, mendimet, thirrjet, kuturisjet, protestat e dëshirat më të errëta të një femre.
Hanan, aq sa ngjan me Ana Kareninën e Madam Bovari, po aq është dhe e kundërt me to.
Ajo nuk e dinte se ditën e ftohtë me shi që i feksi në mendje se kish rënë në dashuri me Majkëllin, po zhytej në fakt në një gënjeshtër të madhe, të cilën e ushqente vetë çdo ditë, duke bërë sikur, duke vënë petka mbi të vërtetën, derisa një ditë ai hon i madh bosh krijuar brenda saj vloi, dhe ajo u kris.
Majkëlli, një shkencëtar i ri gjeolog pasionant, studion e rrëmon pa orar nënshtresat e tokës, në litosferë e më poshtë drejt siderosferës në bërthamën gjithë zjarr e llavë të tokës, po asnjë ditë nuk ia del të hedhë njërën këmbë drejt gruas së tij, duke menduar se gjithçka është në rregull, teksa ajo, Hanan ikte çdo muaj, çdo mot, larg e më larg.
Ajo ka qejf letërsinë dhe kryen shpesh fluturime të vogla poetike. Nuk shkruan vetë, por i pëlqen të lexojë dhe njeh disa autorë.
Amos Oz ngjan të ketë instaluar një kamera të fshehtë thellë brenda Hanan, dhe nuk e ka fare problem të dallojë që ajo po bën shkarravina me gisht në xhamin e mbuluar me avull, kurse Majkëlli që po kthehet në shtëpi nga puna e lodhshme me orar të tejzgjatur, mendon, nga fundi i rrugicës, se ajo po e përshëndet dhe miklon me lojëra.
Majkëlli shkruan dizertacione për thërrmime shkëmbinjsh, e ç’mund të ndodhë me nëntokën çifute që t’i shërbejë atij kombi, është paturpësisht korrekt dhe i saktë, i normuar në çdo sjellje, brenda zakonit që përsëritet çdo ditë, një lavjerrës i pagabueshëm, ndërkohë që Hanan po digjet, kërkon të dalë nga kjo tirani, gjakon të posedohet, të sundohet. Kurmi i saj.
Edhe pas lindjes së djalit, Hanan është një fantazmë në shtëpi, gjithë rravgimet e saj për t’u çliruar, përfundojnë me shpeza të rënda, e orendi të reja, kur ishte koha e kursimit të madh në Jerusalem. Edhe gjuha e Amos Oz është e tillë. Asnjë fjalë e tepërt.
Folje aktive që të shkundin vendit, pa qenë nevoja ta ndjekësh me bezdi si spektator i një filmi që e ka kaluar me vakt kulmin, e thjesht po shkon drejt mbylljes së palavdishme.
Me “Majkëlli im” Amos Oz është treguar i pakohë, nuk e klasifikon dot as libër dimri, as vere, dhe s’e lidh dot me një periudhë të caktuar, edhe pse ngjarjet zhvillohen saktësisht pas krijimit të shtetit të Izraelit, pas luftës, kur Jerusalemi po merr formë, qytet me kalldrëme e pluhur, një lagje e madhe kozmopolite e papërfunduar, që duket se ka ndikuar në përmasat e secilit, ku sekush vjen i paplotë.
“Majkëlli im” është nga ato romane që të bëjnë të ndihesh ligsht kur e mbaron. Thua, sa do vlejë kjo pasuri që ia përplase kapakët pas 10 ditësh. Ç’kolateral do jetë në jetën tënde, ajo magji që të rrethoi ca ditë, e u tret papritur. A ia vlente ky produkt intelektual i kësaj cilësie, apo me aq lekë, më mirë një picë “4 djathërat” e dy birra “Peroni” në lagje.
Ndërkohë që e mbyll, ti sheh në ekran një Shalës që ulëret si i marrë nga një shesh elektoral, gjithë duke u shtuar një b të panevojshme fjalëve, tek vikat; i mbrekullueshëm Pogradeci, i mbrekullueshëm liqeni, të mbrekullueshëm qytetarët./panorama/
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



