Me gomone nga Lezha drejt BE-së…
Na prit Europë se po vijmë, sa të thajmë pak çizmet
Drejtuesi politik i PD në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar për situatën e përmbytjeve që kanë goditur disa zona të qarkut, një realitet i ashpër që për fat të keq nuk përputhet aspak me versionin optimist të Shqipërisë së vitit 2030, që na premtohet të hyjë në BE pa e tharë ende baltën nga çizmet.
Në një kohë kur qeveria vazhdon të shpalosë vizionin europian me data, slogane dhe spote, banorët e Lezhës po udhëtojnë me gomone brenda pronave të tyre, mes përmbytjeve që përsëriten çdo dimër me ritmin e një stine të programuar.
Ironikisht, Shqipëria që po përgatitet për integrim europian përballet ende me të njëjtin “integrim” sezonal: dimri sjell përmbytjet, vera zjarret, dhe në të gjitha rastet institucionet shfaqen me të njëjtat deklarata të ricikluara pa mbajtur pikën e përgjegjësisë.
Në këtë sfond të zymtë dhe aspak europian, Gjekmarkaj ngre alarmin se situata në Lezhë është emergjente dhe se banorët po përballen të vetëm me pasojat, ndërsa pushteti duket më i zënë me kontrollin e narrativës sesa të ujit që ka mbuluar tokat.
Postimi i plotë
Dëmet nga përmbytjet në Lezhë janë masive dhe situata në terren kërkon reagim urgjent, jo spektakël politik.
Mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit.
Në Spiten, banorët po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.
Në vend të masave të qarta, koordinimit dhe mbështetjes reale për komunitetin, pushteti duket më i interesuar të kontrollojë narrativën e opozitës që denoncon vështirësitë e banorëve, ta sulmojë atë, sesa të kontrollojë situatën.
Kjo qasje e shkëputur nga realiteti vetëm sa e thellon krizën dhe tregon paaftësi për t’u përballur me emergjencat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe punën e qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



