E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Miliona euro dëme në buxhetin e shtetit
Lajme

Miliona euro dëme në buxhetin e shtetit

Kreu i Prokurimeve Publike thirret në SPAK për skandalin e Unazës së Madhe, hesht përballë mediave


Një nga skandalet më të mëdha të dekadës së fundit në fushën e tenderimeve publike po merr përmasa të reja, ndërsa drejtuesi i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është paraqitur për të dytën herë në SPAK, nën dyshimet për shkelje flagrante që kanë sjellë miliona euro dëme në financat publike.

Myzyri, i cili drejton institucionin që në praktikë funksionon si “gjykata” që vendos fatin e tenderëve në Shqipëri, është pyetur për afro dy orë nga prokurorët e posaçëm lidhur me rolin dhe vendimmarrjet e Komisionit të Prokurimit Publik në tenderin gjigand të Unazës së Madhe në Tiranë – një procedurë e mbushur me kontestime, akuza për klientelizëm, manipulime dhe shkelje të rënda të ligjit.

Burime  bëjnë me dije se SPAK ka vënë në shënjestër vendimet e KPP-së që mund të kenë ndikuar direkt në favorizimin e kompanive të caktuara dhe në dëmtimin e konkurrencës së ndershme. Dyshohet se Komisioni i drejtuar nga Myzyri, në vend që të ushtronte kontroll dhe transparencë mbi procedurat, ka legjitimuar parregullsitë dhe i ka hapur rrugë abuzimeve me fondet publike.

Pavarësisht se është një nga funksionarët më të rëndësishëm në sistemin e prokurimeve, Jonaid Myzyri zgjodhi të heshtë përpara gazetarëve në përfundim të seancës së pyetjeve. Asnjë koment, asnjë përgjigje për publikun që kërkon llogari për abuzimet me taksat e tyre.

Kjo është hera e dytë që Myzyri thirret nga SPAK – hera e parë ishte në shkurt 2024 – një sinjal alarmi për një institucion që në vend të garantojë integritetin e prokurimeve, ka shndërruar veten në mburojë të aferave korruptive.

SPAK është duke hetuar procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në rast të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.

Në kuadër të hetimit, SPAK ka urdhëruar më herët sekuestrimin e një sërë procedurave, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi ka dalë në konkluzionin se dëmi ekonomik i shkaktuar nga abuzimet me tenderat kap vlerën e 2 miliardë e 550 milionë eurove.

Njëherazi SPAK po heton edhe zyrtarë të Komisionit të Prokurorimit Publik lidhur me koncesionin e sterilizimit.

Nëse SPAK synon me të vërtetë të godasë korrupsionin sistemik, nuk mund të anashkalojë përgjegjësinë direkte të Komisionit të Prokurimit Publik dhe drejtuesve të tij, që me firmën dhe vulën e tyre kanë bërë të mundur vjedhjen e miliona eurove nga projektet madhore publike si Unaza e Madhe. Heshtja e Myzyrit nuk është veçse një dëshmi e frikës përballë së vërtetës. Por publiku kërkon drejtësi, jo heshtje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.